*6.5 herë më shumë çimento për eksport krahasuar me 7-mujorin 2016

Në periudhën janar – korrik të këtij viti nga porti i Durrësit janë transportuar drejt porteve të tjerë afro 194 mijë tonë çimento për eksport, një sasi 6.5 herë më e madhe se sa ajo që është ngarkuar në anijet e transportit gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2016.

Ndërkaq, që nga fillimi i muajit gusht në Terminalin Lindor të portit të Durrësit dy anije janë ngarkuar me 7850 tonë çimento për eksport gjithsej, një anije po ngarkohet aktualisht në kalata dhe e fundit është ankoruar në radën portuale në pritje të ngarkesës. Dy anije, “Sirios Cement 1” dhe “Edra IV”, që nga fillimi i vitit, kanë ngarkuar më shumë se 90 për qind të çimentos për eksport, ndërsa pjesa tjetër është ngarkuar në anijet “Vela 1” dhe “Seaven Luck”.

Nga të dhënat operative të Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se anija “Sirios Cement 1” ka mbërritur në port 15 herë radhazi duke u ngarkuar mesatarisht me 10 mijë tonë çimento për eksport në çdo lundrim. Për herë të parë gjatë këtij viti kjo anije është ankoruar në port më 24 janar dhe ka ngarkuar një sasi prej 7500 tonë çimento.  Anija “Sirios Cement 1” me gjatësi 139 metra ka ngarkuar 15 herë sasi të ndryshme nga 4.500 tonë deri në 12.500 tonë çimento.

Pjesa tjetër e çimentos për eksport është ngarkuar në anijen tregtare “Edro IV”, e cila ka marrë rregullisht sasinë prej 2650 tonë për çdo lundrim.

Çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë-Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit i është drejtuar më pas porteve të Margheras (Itali) dhe të Maltës.