Në sallën e Teatrit “A. Moisiu” Durrës, Shkolla e Mesme e Përgjithshme Jopublike, “Rilindja”, në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit, organizuan mbrëmjen Kadareiane me temë: 

“Në gjurmët e Kadaresë”. 

Nën drejtimin e mësueseve të gjuhës dhe letërsisë, Majlinda Traja dhe Miranda Prisoj dhe mësueses së historisë Xhoana Faja, nxënësit paraqitën punimet e tyre kushtuar veprës së shkrimtarit Ismail Kadare. 

Siç ata u shprehën, kjo ishte si një trokitje në portën e Universit, i cili u hap para tyre me gjithë madhështinë e tij. Ishte një udhëtim nëpër veprën e shkrimtarit që mbetet ikona e letrave shqipe. Një shkrimtar që e kanë lexuar, gjyshërit e tyre, prindërit dhe po e lexojnë dhe studiojnë vetë ata. Vlera të përcjella brez pas brezi nëpërmjet librit, i cili ka fuqi të transformojë botën me fuqinë e asaj që mbart brenda tij, fjalës. Qëllimi i këtij projekti ndërlëndor ishte studimi i veprës së Ismail Kadaresë në aspektin gjuhësor, letrar e historik. 

Punimet u prezantuan në një rend kronologjik, sipas periudhave historike në të cilat ndodhin ngjarjet e tyre. 

Legjenda dhe balada mesjetare: “Kush e solli Doruntinën” “Ura me tri harqe”.

Periudha e Perandorisë Osmane: “Kështjella”, “Ura me tri harqe”.

Periudha e mbretit Zog: “Prilli i thyer”.

Lufta e II-të botërore: “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar”

Periudha pas Çlirimit të vendit: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Periudha e diktaturës: “Dimri i madh”, “E penguara”

Poezia: “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, “Motive me diell “. Nxënësit nuk u mjaftuan vetëm në paraqitjen e projekteve të veprave të studiuara prej tyre, por shprehën kreativitetin dhe aftësitë e tyre në krijimtari, me poezi dhe ese të frymëzuara nga veprat e Kadaresë, në formimin e neologjizmave sipas stilit Kadareian, në pikturë dhe muzikë. 

Në pjesën e dytë të takimit, u ndanë edhe çmimet  për vlerësimin e  punës së bërë prej nxënësve. Çmime të cilat u akorduan nga përfaqësueset e Bibliotekës Publikes Durrës, bashkëpunuese në këtë takim: drejtuesja M. Ylli dhe bibliografja T. Dhima; studiuesja e letërsisë Viola Isufaj; pedagogia e UAMD-së, Drita Isufaj; drejtori  i shkollës “Rilindja”, Drini Hasani dhe mësueset të cilat ishin udhëheqëse në këtë projekt. U vlerësuan me çmime: 

“Paraqitja grafike më e mirë”(Powerpoint)

“Ligjëruesi Kadareian”( retorika më e mirë në prezantim dhe inderpretim).

“Neokritiku Kadareian”( analiza më e mirë, interpretimi, vlerësimi)

“Unë dhe Kadare” (eseja më e mirë).

“Fidani Kadareian”( poezi të frymëzuara nga vepra dhe të krijuara nga nxënësit)

“Vargtjerrësi NEOKADARE”( çmim special  për poezinë).

“Fjalëtjerrësi NEOKADARE” ( fjalë të krijiara sipas stilit të tij).

“Tingulltjerrësi Kadareian”,( çmim special në muzikë)

“Ngjyratjerrësi Kadareian” (piktura të frymëzuara nga vepra)

“Skuadra NEOKADARE” (bashkëpunimi më i mirë në grup, klasa që ka krijuar më shumë fjalë të reja, poezi, piktura). Nxënësit, përballuan më së miri emocionet që sjell ngjitja në skenën e madhe e cila ka aftësinë të emocionojë edhe profesionistët më të sostifikuar, duke treguar aftësitë e tyre në moderim, interpretim, studimin e veprave, pikturë, muzikë, vallëzim dhe mbi të gjitha, një frymë të admirueshme bashkëpunimi. Ata patën guximin të trokasin në Universin Kadareian, të udhëtojnë me vendosmëri  brenda tij, duke marrë me vete ato çfarë mbeten dhe i rezistojnë kohës, vlerat e vërteta. Kadare erdhi në këtë mbrëmje si: “Zhbirues i shpirtit të kombit; epokal; modernizues i historisë; novator dhe simbol i mjeshtërisë së krijimtarisë shqiptare; frymëzues dhe kërkues i vlerave njerëzore”. Edukimi i brezave me shijen e së bukurës, orientimi drejt vlerave, ishte emëruesi i përbashkët i kësaj mbrëmjeje mbresëlënëse, por që duhet të mbetet edhe një mision i shenjtë për çdo mësimdhënës dhe institucion arsimor, qoftë ky publik ose jo.