Ndalohet nga Njësia Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, një shtetas që kërkohej ndërkombëtarisht, për tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste.
Shtetasi turk u ndalua gjatë tentativës për të hyrë në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet PKK Rinas.
Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Njësisë Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, në Sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Antiterrorit, me partnerët turq, si dhe si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, me objektiv parandalimin e lëvizjes ilegale, të shtetasve në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë në shtetet ku kanë kryer vepra penale, u ndalua në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-I. K., 67 vjeç.
Ndalimi i këtij shtetasi u krye në zbatim të urdhrit të prokurorit, nxjerrë më datë 08.08.2017, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin, për shtetasin I. K., për veprat penale “Tentativa për rrëzimin e rendit kushtetues” dhe “Anëtarësimi në organizatë të armatosur terroriste”, parashikuar nga legjislacioni penal turk.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, në funksion të procedurës për ekstradimin e këtij shtetasi.





