*2011 – 2017, më pak anije dhe tragete në kalata, më shumë mallra në përpunim
Numri i anijeve dhe trageteve që janë ankoruar në kalatat e portit të Durrësit gjatë 7 viteve të fundit ka ardhur në rënie, ndërsa është shënuar një rritje graduale e volumit të mallrave të përpunuara.
Sektori i Statistikave në APD ka publikuar ditët e fundit të dhënat vjetore të anijeve dhe mallrave të përpunuara gjatë periudhës 2011 – 2017.
Sipas tyre, nëse në vitin 2011 janë përpunuar 2.086 anije dhe tragete, në vitin 2017 janë përpunuar 514 mjete të tilla lundruese më pak.
Gjatë vitit të kaluar në kalatat e katër Terminaleve janë ankoruar 1.572 anije dhe tragete me mbi 3 milionë e 684 mijë tonë mallra gjithsej.
Ndërkaq mësohet se në vitin 2011 janë përpunuar 3 milionë e 490 mijë tonë mallra, tregues i një rritjeje graduale nga viti në vit.
Sasia më e madhe e mallrave të përpunuara nga anijet dhe tragetet i përket vitit 2014, kur volumi vjetor i mallrave arriti në 3 milionë e 718 mijë tonë.
Nga të dhënat statistikore mësohet gjithashtu se eksportet kanë patur ndryshime të vogla vjetore për të shënuar 1 milion e 341 mijë tonë gjatë vitit të kaluar, ndërsa importet me rreth 1 milion ton më shumë gjatë të njëjtit vit kanë arritur shifrën vjetore prej 2 milion e 342 mijë tonë.