Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte në Spitalin Pediatrik të QSUT-së, ku mjeku i njohur pediatër, Bashkim Nezaj, ka ndërruar jetë teksa ndodhej në krye të detyrës.
Nezaj ishte në turnin e natës, duke i shërbyer fëmijëve, kur ka pësuar një infarkt fatal. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë, mjeku nuk ka mundur të mbijetojë.
Lajmi për ndarjen e tij të parakohshme ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku kolegë, miq dhe familjarë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti të përkushtuar dhe njeriu të qetë, që i qëndroi mjekësisë pranë deri në frymën e fundit.
Mjeku Bashkim Nezaj njihej për humanizmin dhe përkushtimin e tij ndaj pacientëve të vegjël, ndërsa ndarja e tij nga jeta konsiderohet një humbje e madhe për sistemin shëndetësor.