Të shokuar janë të gjithë të afërmit e familjes Gjoka në Manëz të Durrësit. Të dyja banesat që gjenden pranë njëra- tjetrës, e çiftit Gjoka dhe e babait të tij, kanë hapur dyert e mortit. Në banesën e çiftit janë disa të afërm, në banesën e prindërve të Mondi Gjokës, i vetëvrarë pak minuta pasi plagosi bashkëshorten e tij Lumturijen 38-vjeçare. Katër fëmijët e çiftit po qëndrojnë me gjyshen, ata ende nuk e kanë mësuar se çfarë ka ndodhur, përveç vajzës më të madhe 13-vjeçare. Ajo qan vazhdimisht, dhe pret me sytë nga porta që dikush t’i japë një lajm të mirë, e t’i thotë që gjithçka që pa natën e shkuar ishte një ëndërr e keqe.
Të afërmit dhe gratë me të zeza, i thonë të bëhet e fortë e të kujdeset për më të voglin, vëllanë 2-vjeçar. Pas mesdite, arkivoli me trupin e të atit ka hyrë në portë, dhe për të vegjlit, të gjithë frikërat e këqija janë prezente.
Sherif Shera, kushëriri i parë i kryefamiljarit Mond Gjoka, në një intervistë deklaroi se sherri që shkaktoi këtë tragjedi ka qenë i çastit për shkak të konsumit të alkoolit.
Si ndodhi?
Ne na thanë që ishte momentale. Kishin ngrënë e kishin pirë te babai i Mondit së bashku me kunatin e tij. Kishin pirë verë dhe pastaj kishin shkuar për të fjetur në shtëpinë e Mondit. Sa kishin rënë për gjumë kishte nisur sherri.
Po më pas?
Di që nusen e tij Lumturinë e kish qëlluar në derë te babai i tij, ku ajo kishte ikur me vrap për të shpëtuar nga plumbat e të shoqit. Më pas ai kishte ikur pas shtëpisë dhe nuk dëgjoi më, por bëri atë që bëri.
A kishin probleme në çift, të paktën në dijeninë tuaj?
Jo ata nuk kishin probleme. Mondi ishte shumë punëtor. Nuk i rrinin duart në një vend vetëm punonte që të rriste fëmijët. Bleu një traktor, punonte tokat. Ndërtoi një godinë dykatëshe, shiko si e ka bërë shtëpinë, dhe pemët që ka mbjellë. Ishte njeri me duar të arta e me emër të mirë. Punëtor te Zoti. Edhe e shoqja merrej me lopët, me bagëtinë.
Po fëmijët, prezentë ishin?
Në shtëpi kanë qenë. Ata janë të vegjël. Vajza më e madhe është në klasë të tetë, ka dy vajza të tjera më pas dhe djalin e ka 2 vjeç. Ai nuk merr vesh gjë. Të vegjël janë, kërkojnë nënën e babanë në këtë moshë.
K.H.