Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe kryetari i bashkisë së Zadarit në Kroaci, Branko Dukić, kanë nënshkruar një marrëveshje binjakëzimi midis dy qyteteve. Kryetari i bashkisë së Zadarit, Branko Dukić ju përgjigj ftesës së kryebashkiakes Sako për të vizituar Durrësin dhe për të konkretizuar bashkëpunimin midis dy qyteteve nëpërmjet kësaj marrëveshjeje.
Kryebashkiaku i Zadarit shoqërohej në takimin që u zhvillua në Bashkinë e Durrësit nga kreu i dhomës së tregtisë të Zadarit, Denis Ikić, konsulli i nderit i Shqipërisë në Zadar, Anton Dedaj dhe ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramarić.

Kryebashkiakja Emiriana Sako e ka njohur delegacionin kroat me potencialin e jashtëzakonshëm turistik e ekonomik të Durrësit si dhe historinë e lashtë të qytetit tonë me trashëgimi kulturore të pasur. Edhe kryebashkiaku i Zadarit, Branko Dukić, ka bërë një përmbledhje të përgjithshme të vlerave kulturore dhe ekonomike të Zadarit, njërit prej qyteteve më të rëndësishme të Kroacisë, ku jeton edhe një komunitet shqiptarësh arbëreshë.

Më pas të dy palët kanë bashkëbiseduar rreth forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy qyteteve në fushat kulturore, sociale dhe ekonomike. Të dyja palët shprehën bindjen se bashkëpunimi midis dy qyteteve do të kontribuojë edhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Branko Dukić: “Dëshiroj të falenderoj kryetaren tuaj, zonjën Emiriana Sako, që më ftoi si kryetar i Zarës për të krijuar një bashkëpunim vëllazëror mes dy qyteteve, dhe natyrisht për të vendosur marrëdhënie që do të përmirësojnë jetën kulturore, sociale dhe ekonomike të dy qyteteve. Kemi ngjashmëri të mëdha; të dy qytetet janë në bregdet, kemi një mentalitet të ngjashëm, kemi zakone të ngjashme dhe besoj se do të ndërtojmë një jetë më të mirë në të ardhmen. Është gjithmonë mirë të shohësh një tjetër sesi funksionon, dhe ne kemi diçka për të mësuar këtu, kështu që besoj se me vizita të shpeshta do të kemi kënaqësinë të përmirësojmë jetën e qytetarëve si të Durrësit ashtu edhe të qytetit të Zarës.”

Me anë të kësaj marrëveshje binjakëzimi Durrësi dhe Zadari do të bashkëpunojnë në fushat e ekonomisë, tregtisë, shkencës dhe teknologjisë, kulturës, arsimit, sportit, shëndetësisë, turizmit etj, në përputhje me parimin e barazisë dhe përfitimit të ndërsjelltë, për të nxitur prosperitetin dhe zhvillimin e përbashkët.
Më pas delegacioni kroat ka vizituar Muzeun Arkeologjik, Amfiteatrin si dhe monumente të tjera historike të qytetit.