Basketbollistja amerikane Brittney Griner ka lënë pas aventurën e hidhur në Rusi dhe tashmë do të luajë me skuadrën e Phoenix Mercury këtë sezon në Women NBA.

Ajo ka firmosur kontratën e re me ish-skuadrën e saj para se të shkonte në Rusi, ku një vit më parë u arrestua nga policia për kontrabandë dhe përdorim të substancave të ndaluara.

Griner qëndroi gati 8 muaj pas hekurave në Moskë pas një dënimi me 9 vite burg.

Gjithsesi, në fund të vitit të kaluar u rikthye në Amerikë, pjesë e një marrëveshjeje mes dy shteteve për shkëmbim të burgosurish.

Ajo që binte në sy ishte pamja e jashtme e Griner, me flokët e prera shkurt, duke hequr flokët shumë të gjata që i mbante si rripa.

E qeshur dhe gati për sfidën e re, ajo do të mbajë numrin 42 në fanellë.

Griner do të arkëtojë 165 mijë dollarë për një sezon. Debutimi do të jetë më 21 mars, në ndeshjen ndaj Chicago Sky.