Kryeministri Edi Rama ka realizuar të shtunën një intervistë ndryshe në “InTV”, i ftuar në emisionin “Tek unë” të moderatores Arjola Shehu. Rama në këtë intervistë rreth jetës private, familjes, pasioneve, ka folur edhe për kabinetin e ri qeveritar.
Rama ka thënë se qeveria e re do të jetë me më pak ministri dhe me emra të rinj ministrash. Ai ka thënë se do të ketë dhe një reduktim të numrit të drejtorive, inspektorateve dhe dikastereve. Kryeministri ka rrëfyer për Samitin e Triestes dhe dhuratën që i ka bërë Presidentit të Francës, deri te raporti me Gregun dhe Zahon. Koha me Lindën dhe me Anetën. Si e thërrasin në Kryeministri dhe cilat kanë qenë momentet e vështira…
Basketbollin nuk e keni ndarë nga jeta juaj, meqenëse në zyrën tuaj ndodhet një kosh basketbolli…
Janë dy në fakt, një është në paradhomë dhe një tjetër në oborr. Ai në paradhomë është si ato reliktet nëpër muze, por që e përdor ndonjëherë, kurse tjetri në oborr është më serioz.
Përveç koshit, janë edhe disa figura që shikojmë në një pjesë të zyrës suaj, ku ndodhen?
Është letër murale e bërë me vizatimet e mia dhe ndodhen në katër faqet e mureve të zyrës.
Janë më të mëdha se origjinalet në vizatim. Do të ketë ndryshime në zyrën tuaj për këto katër vite?
Nuk besoj. Jo
Po zyra në Partinë Socialiste është po kështu?
Zyra në PS është më e thjeshtë. Por janë të ndryshme.
Kujt ia mban mend vetë ditëlindjen Kryeministri, pa pasur nevojë për një axhendë apo staf?
Ditëlindjen mend ia mbaj Lindës, Zahos, Gregut, Reas, Anetës dhe Olsit. Kaq.
Cilët janë ata persona në punë me të cilët kalon pjesën më të madhe të ditës?
Unë investoj besim tek të gjithë njerëzit me të cilët punoj. E filloj nga besimi, sigurisht jo gjithmonë besimi kthehet. Por ka investime që janë të suksesshme dhe ka që janë të pasuksesshme. Unë gjithmonë investoj besimin tim dhe pres që investimi të kthehet.
Atletet tuaja janë bërë temë bisede për faktin se ju shkoni në takime të rëndësishme me to. Jo i veshi, jo nuk duhet t’i veshë, gjithmonë diskutohet për këtë pjesë. Këtë gjë e bëtë dhe së fundmi në ceremoninë e betimit të Presidentit. Kishte një shkëmbim batutash mes jush dhe zotit Berisha…
Unë, në fakt, jam mësuar që gjithë jetën të merren me veshjen time. Kjo ka ndodhur që shumë kohë më para, atëherë kur veshjet ishin shumë më konvencionale dhe kur çdo gjë bënte përshtypje. Por mua s’më bën asnjë përshtypje kjo gjë. Secili ka të drejtë të vishet si do, shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Se ti s’e ke kap kohën kur kështu si je veshur, mund të përfundoje në fletërrufe dhe më pas të përfundojë në kooperativë të riedukoheshe. Ne e kemi jetuar atë kohë. Mua këto lloj eksesesh më kujtojnë atë kohë dhe më duket sikur ka ende njerëz që vazhdojnë dhe jetojnë në atë kohë, por është kohë tjetër dhe gjithsecili ka të drejtë të vishet si të dojë.
A u diskutua veshja juaj me atlete në Samitin e Triestes? Atje kishte diskutime më të rëndësishme, por kjo tërhoqi vëmendje...
Atje janë njerëz që kanë tjetër respekt për lirinë e tjetrit dhe të drejtën e tjetrit për të qenë ai që është ose ajo që është. Mund t’ju zbuloj dhe një sekret të vogël, që Presidentit të Francës i çova një palë atlete, meqenëse i pëlqyen shumë atletet e mia. Më tha dua dhe unë një palë si këto. I thashë do këto? Apo si këto? Si këto, më tha, sepse ato që ke ti nuk më bëjnë. I thashë, sa e ke numrin e këmbës, më tha, 44-a. Shumë dhe unë i çova një palë atlete dhe ai u gëzua.
Po ju sa e keni numrin e këmbës?
46-ta.
Fjala më “in” në këtë periudhë është bërë kazani. Sipas mendimit tuaj, në cilin moment degradoi gazetaria?
Ka qenë një proces degradimi që faktikisht e ka çuar shtypin tonë në nivele pabesueshmërie katastrofike. Ka zona të shtypit tonë që gëzojnë besueshmëri të lartë nga publiku, edhe pse patjetër edhe në kazan ka shpeshherë gjëra të vlefshme, që mund të ripërdoren dhe të jenë hedhur gabimisht. Por që prapë kazani është i ububushëm.
Sa i ndiqni debatet televizive?
Fare, zero interes.
Nuk keni interes se çfarë thotë rivali, apo për tema të caktuara?
Zero. Marr vetëm një raport shumë sintetik në mëngjes për atë që shkruhet dhe atë që thuhet. Por shkurt, një faqe. I gjithë koncentrati i lajmeve të kazanve është vetëm një faqe. Nuk shikoj fare emisione politike.
Nga portalet e huaja merrni informacion, apo keni interes të shikoni programe të caktuara.
Ndjek disa, por në mënyrë të kufizuar. Në atë kohë që kam për ekranin dhe përgjithësisht kjo kohë vjen pas orës 12:30 – 1:00, shoh vetëm filma.
Nëse do të bënim një tablo të karrierës suaj, çfarë ngjyrash do të kishte?
Të gjitha ngjyrat i ka. Ka të bardhë, ka të zezë, ka të kuqe, të verdhë, jeshile, blu, ka dhe patjetër violetë.
Cila mbizotëron nga ngjyrat?
Përgjithësisht besoj se është violet.
Kalojmë te familja juaj. Gregu për çfarë i ka përfunduar studimet?
Gregu ka studiuar arte të bukura, është në atë zonë. Pavarësisht se edhe shkruan shumë edhe besoj se tek e shkruara ka shumë cilësi natyrale që po t’i përpunojë mund të shkruajë vërtet shumë bukur.
Pra i ndan mendimet e tij me ju. A ju pyet?
Jo, jo fare. Është shumë i lirë, shumë i pavarur. Unë kështu në fakt kam dashur gjithmonë që ai të jetë, dhe ashtu është. Jo se kam dashur unë, por është vetë ashtu. Edhe kemi shpeshherë debate, por është i mbarë dhe përgjithësisht është i fokusuar në botën e krijimit, fotografi, video, me piktura.
Duket se me politikën nuk ka lidhje fare, ama?
Nuk i intereson, mesa kuptoj.
A do të dëshironit të ishte ndryshe kjo pjesë, ta shikonit Gregun në politikë?
Jo. Sepse secili bën zgjedhjen e vet dhe nuk është prindi që duhet të vendosë për fëmijën. Është fëmija që duhet të bëjë zgjedhjen e vet dhe suksesi i prindit për mua është që fëmijës t’i krijojë kushte që të ndihet i lirë, të jetë sa më i pavarur dhe të bëjë zgjedhjen e vet.
Kalon aq shumë kohë me Zahon, aq sa do të doje ti?
Sa do doja jo, por mundohem.
Cilat janë lojërat e preferuara të Zahos?
Është në zonën e automjeteve. Që prej ditës së parë, në fakt, ka filluar të interesohet tek të gjitha strukturat me rrota.
A pikturoni së bashku? A po i mësoni diçka rreth pikturës?
Akoma jo. Por unë nuk mendoj se prindi duhet t’i mësojë fëmijës të pikturojë. Fëmijët duhet t’i kenë ngjyrat rreth e rrotull, por në qoftë se duan t’i kapin, t’i kapin. Po nuk deshën t’i kapin, mos t’i kapin. Ka prindër që i çojnë në atë drejtim dhe fëmijët përgjithësisht janë të jashtëzakonshëm kur pikturojnë, por kjo s’do të thotë që të gjithë janë të talentuar për t’u marrë me pikturë. Deri në moshën 10-12 vjeç nuk duhen asnjëherë shtrënguar që të pikturojnë ose vizatojnë. Duhet thjesht t’i kenë ngjyrat dhe letrat.
Kështu ka ndodhur me ju?
Ekzaktësisht kështu.
Kush kujdeset për Zahon?
Për Zahon kujdeset Linda. Por gjatë kohës që ajo është e angazhuar, Zaho ka një person tjetër që kujdeset për të, por Linda është ajo që merret.
Në fakt ne nuk e kemi parë Zahon si fytyrë. Në fotot që publikohen ka qenë i mbuluar. Është zgjedhja juaj?
Normalisht në median jokazan nëpër botë, edhe kur i ndodh që t’ia fotografojnë fytyrën, ia publikojnë të mbuluar. Sepse fëmijët nuk mund të jenë kuriozitete mediatike.
Meqenëse nuk e njohim si fytyrë, kujt i ngjan Zaho, juve apo Lindës?
Është i përzierë. Mendoj që është i përzierë.
Po me zonjën Aneta si i ka punët. Kalon ajo shumë kohë me Zahon?
Kalon jo pak kohë, sepse ai shkon tek ajo dhe kanë një raport shumë intensiv dashurie me njëri-tjetrin kur takohen.
Ka me tepër dobësi për Gregun apo Zahon? Se Gregun në njëfarë mënyre ajo e ka rritur…
Me të voglin gjyshet janë gjithmonë të prirura të kenë më shumë vëmendje, kurse me të madhin janë të prirura të bëjnë më shumë vërejtje.
Po Gregu kalon kohë me Zahon?
Më pak, por tek Aneta është si të thuash udhëkryqi ku takohen të dyja palët.
Bashkëshortja juaj, zonja Linda, është një zonjë shumë karizmatike. Si do ta përshkruanit me një fjalë?
Është, me pak fjalë, gjysma ime shumë më e mirë.
Ju gjithmonë jeni të rrethuar nga njerëz, por a ka një moment të ditës kur jeni vetëm për t’u qetësuar. Për të marrë kohën tuaj?
Kur jemi bashkë në ambiente publike, jemi të rrethuar nga njerëz, po faktikisht ne kemi një mur shumë të ndarë mes jetës sime publike dhe familjes. Aty jemi me njëri-tjetrin, jo se nuk duam të kemi njerëz të tjerë, por është kaq e vogël koha që mund të jemi me njëri-tjetrin, saqë aty jemi përgjithësisht me njëri-tjetrin. Dhe, nga ana tjetër, nuk flasim për politikë. Është rregulli numër një për mënyrën se si jetohet brenda mureve të shtëpisë. Politika është te dera.
Si do të donit që njerëzit t’ju kujtonin pas shumë vitesh?
U përpoq, bëri sa mundi, mbase nuk bëri dot sa deshi. Por u përpoq.
E mendoni një rikthim në Paris?
Jo, jo, nuk bëhet fjalë për spostime gjeografike. Bëhet fjalë vetëm spostime në një gjeografi të re të vetvetes. Se botën ne e kemi brenda, bota që është jashtë, është shumë herë më e vogël se ajo që kemi brenda.
Ju mungon periudha e jetesës në Paris?
Jo. S’më mungon asgjë nga ato që kam bërë. Më mungojnë vetëm ato që do të bëj.
Ku do t’i kaloni pushimet?
Në Dhërmi. Më 1 gusht i nis.
Keni thënë që kabineti i ri qeveritar do të ketë risi. Do të ketë disa ministra të rinj?
Akoma s’e di, por do të kemi një qeveri të vogël, besoj. Do punojmë që të zvogëlojmë numrin e agjencive e inspektorateve, drejtorive, duke u munduar që të rrisim eficiencën. Parimi kryesor i katër viteve të ardhshme do të jetë më shumë, me më pak në çdo aspekt.
Mund të zbulojmë ndonjë nga emrat e ministrave që do të jenë pjesë e kabinetit të ri?
Më shumë dëshirë do t’jua zbuloja juve ndonjë ministër, por nuk e kam akoma të qartë se kush do të jetë ku.
Por, ama, mund të themi se do ketë ndonjë emër të ri?
Patjetër. Keni nisur një tur 30-ditor dhe duket se fushata nuk ka mbaruar ende.
Ka filluar puna për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, apo është ende te procesi i raportimit të problemeve?
Kjo është e gjitha për të krijuar një bazë, por në radhë të parë për të krijuar një bazë të asaj që unë e quaj bashkëqeverisje me njerëzit dhe për të informuar sa më shumë njerëz se çfarë kuptojmë ne me këtë. Nuk është një slogan, por një qëllim, që të kemi një koalicion real me njerëzit…
Ju keni qenë që fëmijë një lider?
Protagonist po, por lider s’e di.
Nëse do të kishit mundësi të mbeteshit gjithmonë në të njëjtën moshë? Cila do të ishte?
Këtu ku jam.
Kur i keni fituar paratë e para?
Kur hyra në punë. Në ’86-n, që u bëra asistent-pedagog.
Italianët thonë se jeta fillon pas të 40-tave. Sa dakord jeni me këtë shprehje?
Kam pas një mik që e shtynte gjithmonë. Ai shkoi 50, tha pas 50-ave filloka jeta. Shkoi 60, 70, shkoi 80. Kështu që jeta është sa ndihesh, jo sa je.
Kur ka qenë hera e fundit që keni bërë aktivitet fizik?
Nëse aktivitet fizik quhet të ecësh, ka qenë dje. Nëse aktivitet fizik quhet të organizohesh dhe të vishesh me rroba sportive dhe të bësh aktivitet fizik, kjo ka qenë para fushatës.
A keni frikë nga plakja?
Jo frikë, s’mund të them frikë. Kam vetëm frikën që vjen nga ideja se mund të mbeten shumë gjëra pa jetuar dhe pa bërë.
Keni një hajmali apo diçka që ju sjell fat?
Mund dhe të ndodhë. Po.
Si ju thërrasin vartësit?
KM.
Ke në plan ndonjë ekspozitë tjetër?
Po, në Berlin, në shtator më duket.
Kë do të cilësonit si dështimin tuaj më të madh në jetë?
Është bilanc për më vonë ky, jo për tani.
Momenti juaj më i vështirë, kur ka qenë. Që jeni ndierë i dobët, apo i pafuqishëm?
Kam pas disa momente të vështira. Ndoshta më i vështirë, i vështirë, ka qenë kur humba babanë.
Cili ka qenë vendimi për të cilin nuk do të pendoheshit kurrë që e keni marrë?
S’pendohem unë për vendimet që kam marrë. S’kam pas ndonjëherë pendesë.
Ju i shisni pikturat tuaja?
Po. Por s’i shes unë. Shiten vetë.
Kur shiten? Sa ka kushtuar më e shtrenjta?
Varet, por me këto gjëra nuk merrem unë. Kam një raport shumë të ftohtë me paranë dhe me financat e shtëpisë. Merret Linda me këtë punë.
Si do ta përkufizonit dashurinë?
Si arsyen më të madhe për të jetuar. Është shija më e mirë që ka jeta.