Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të enjte më 14 maj, në orën 10:00, në seancë plenare, ku në fokus pritet të jenë debatet për klimën e investimeve në vend, procesin e integrimit europian dhe një sërë interpelancash me anëtarët e qeverisë.

Sipas rendit të ditës, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe njoftimet, ndërsa më pas do të zhvillohet një mocion me debat lidhur me problematikat e evidentuara në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për klimën e investimeve në Shqipëri, si edhe gjetjet e progres-raportit të Komisionit Europian.

Në seancën e sotme do të shqyrtohet edhe projektrezoluta “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Një tjetër pikë që pritet të sjellë debat në sallën e Kuvendit është interpelanca me kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga deputeti Tritan Shehu.

Po ashtu, në Kuvend janë thirrur për interpelancë edhe disa ministra. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu do të përballet me pyetjet e deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Ndërkohë, ministri i Financave Petrit Malaj do të jetë në interpelancë me deputetin Eno Bozdo.

Në rendin e ditës janë parashikuar edhe dy interpelanca me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, të kërkuara nga deputeti Erion Braçe dhe nga deputetët Agron Shehaj e Erald Kapri.