Qeveria gjermane ka përgatitur një model për një sulm të mundshëm rus ndaj NATO-s, ka pohuar gazeta gjermane Bild. Sipas tabloidit, autoritetet në Berlin kanë përshkruar katër faza të dallueshme, sipas të cilave mund të ketë me sulme bërthamore ndaj vendeve anëtare të NATO-s.

Në një artikull të publikuar të mërkurën, Bild pretendoi se kishte analizuar rrezikun e mundshëm në një dokument prej 13 faqesh për mbrojtjen civile, që supozohej se ishte përgatitur për parlamentin gjerman.

Gjermania do të ishte ndër objektivat kryesore në rast të një sulmi rus ndaj NATO-s, sipas gazetës, me zyrtarët që e konsiderojnë një rrezik të tillë “të besueshëm”.

Faza e parë e një sulmi nga Moska supozohet se do të përfshinte një fushatë dezinformimi që synon të përçajë popullsinë gjermane dhe të destabilizojë shoqërinë. Për më tepër, Rusia supozohet se do të kryente sulme kibernetike në infrastrukturën kritike.

Sipas Bild, Kremlini më pas do të vendosë trupa në kufirin me NATO-n. Sulmet kibernetike dhe sabotimet në tokën gjermane do të ndodhin paralelisht me këtë, me satelitët në shënjestër, pohoi media gjermane.