Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, reagoi lidhur me të dhënat e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke deklaruar se ekonomia e turizmit po përballet me një ngadalësim të ritmit të rritjes.

Sipas Gonxhes, Shqipëria vijon të jetë në territor pozitiv sa i takon numrit të vizitorëve të huaj, por të dhënat e muajit qershor 2026 tregojnë një frenim të ndjeshëm të rritjes.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit paguan situatën. Shqipëria mbetet në territor pozitiv sa u takon hyrjeve të shtetasve të huaj, por të dhënat e qershorit tregojnë një ngadalësim të qartë të ritmit të rritjes.

“Në qershor 2026, vendi regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej vetëm 17,075 vizitorësh, ose +1.28%. -1,223% më pak krahasuar me rritjen e muajit maj 2026 ose 12.2 herë më e ulët si rritje, dhe -638% më pak krahasuar me trendin e rritjes në 5-mujorin janar-maj 2026 ose 6.3 herë më e ulët si rritje!”, thekson Gonxhja.

Ministri nënvizoi se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, u regjistruan 5,059,069 vizitorë të huaj, krahasuar me 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja totale është 297,421 vizitorë, ose +6.25%.

Gonxhja shtoi se “megjithatë, deri në muajin maj, rritja ishte +8.2%. Me përfshirjen e të dhënave të qershorit, ritmi i rritjes zbret në +6.25%, çka nënkupton një ngadalësim prej rreth -24% të dinamikës së rritjes”.

Sipas tij, ky sinjal bëhet edhe më i qartë kur analizohen disa nga tregjet kryesore.

Ministri theksoi se “në qershor 2026, krahasuar me qershorin 2025, u regjistrua rënie e numrit të vizitorëve nga: Kosova: 51,190 vizitorë më pak; Maqedonia: 15,223 vizitorë më pak; Gjermania: 13,165 vizitorë më pak; Turqia: 11,062 vizitorë më pak; Mali i Zi: 6,212 vizitorë më pak”.

Gonxhja tha se vetëm këto pesë tregje, të marra së bashku, sollën 96,852 vizitorë më pak, ose -13.00% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Në reagimin e tij, ministri e lidh ngadalësimin me klimën e krijuar nga tensionet publike dhe protestat, duke argumentuar se perceptimi i sigurisë dhe stabilitetit ndikon në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi Gonxhja.

Sipas tij, sinjalizimet nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja.

“Turizmi nuk është vetëm statistikë. Është ekonomi reale, vende pune, të ardhura për familjet dhe imazh kombëtar. Prandaj, është thelbësore për të gjithë të mbrojmë industrinë turistike nga çdo axhendë destabilizuese e konfliktuale!”, e përmbyll ministri reagimin.