Rreth një muaj pas konfirmimit nga ana e Ministrisë së Bujqësisë të rastit të parë të gripit të shpendëve në pularitë e Durrësit, në stabilimente nuk ka më asnjë shpend të gjallë. Nga rreth 300 mijë kokrra vezë që hidhte çdo ditë në treg një nga kompanitë më të mëdha në vend, tani prodhon vetëm 36 mijë në ditë nga stabilimenti në qytetin e Vlorës.

Një nga përfaqësuesit e kompanisë “AIBA”, Andi Duka thotë për “Durrëslajm” se në momentin kur konsumatorëve do t’u kalojë frika nga gripi i shpendëve dhe do të rikthehen të konsumojnë vezë, çmimi i tyre mund të trefishohet nga ai aktual. Sipas tij, zgjidhja e vetme mbetet importi i vezëve për disa muaj me radhë, sepse vetëm nga muaji gusht do të rinisin të zëvendësohen pulat e ngordhura në stabilimentin e AIBA-s. Pas shfarosjes së rreth 1 milion pulave nga kapanonet e kompanive që operojnë në Durrës, në treg mund të ketë një mungesë prej rreth 450 mijë kokrra vezë në ditë.

“Fatkeqësisht, ngaqë u izolua pak me vonesë, gripi i shpendëve do të kapë të gjithë stabilimentet e Shqipërisë. Në treg do të ketë një vakuum prej gati 50% të kerkesës për vezë, ose rreth 450 mijë kokrra vezë në ditë mungesë. Nëse nuk do të ketë import, çmimi i vezës mund të rritet 3-fish, nga ai që është aktualisht. Gjithë stabilimentet më të mëdha, po tentojnë të plotësojnë dokumentacionin për të importuar nga vende të certifikuara, mundësisht të BE-së”,- tha Duka.

Vetëm në kompaninë “AIBA” dëmi ekonomik llogaritet në rreth 2.5 milionë euro, ndërkohë që ata janë në pritje të përgjigjes që do të vijë nga dikasteri i Bujqësisë për dëmshpërblimin e tyre konform ligjit.

“Po presim nga institucionet shtetërore të ngrihet një komision vlerësimi siç e kërkon ligji, i cili duhet të identifikojë dëmin e shkaktuar dhe të hartojë një procesverbal, të cilin mund ta përdorim për dëmshpërblimin”,- tha Duka.

Pasi Ministria e Bujqësisë mohoi për disa ditë me radhë në muajin mars, se ngordhja masive e pulave në Durrës u shkaktua nga gripi i shpendëve, dikasteri konfirmoi rastin e parë të prekur. Një pjesë e madhe e pulave të ngordhura, që për ditë me radhë qëndronin në oborret e stabilimenteve u groposën në Shijak, sepse bashkia Durrës deklaroi se nuk kishte terren të përshtatshëm që të plotësonte kushtet ligjore për këtë proces.

M.B.