Në një kohë kur skuadra ka ndryshuar drejtim me klubin që i ka besuar Renato Arapit për një kurs të ri, te Teuta vazhdojnë me intensitet punimet në Niko Dovana, për të kthyer skuadrën sa më shpejt në shtëpinë e saj. Në stadiumin durrsak, janë kryer të gjitha punimet për sa i përket fushës, me drenazhimin dhe shtresat e rërës. Një punë jo e vogël , duke qenë se ekspertët shprehen se është bërë gjithçka nga e para, duke bërë dhe provat e kullimit të ujit, teste të kaluara këto me sukses. Në Niko Dovana, tanimë pritet të mbërrijnë edhe ekspertët grekë për të parë në terren situatën, duke qenë se bëhet fjalë për një kontratë me një firmë prestigjoze që ofron cilësinë maksimale, dhe pas ok të tyre do të nisë edhe shtrimi i tapetit të barit që do të vijë po nga Greqia.

Në këtë mënyrë në klubin e Teutës do të mbyllin një herë e mirë problematikën me fushën, duke ofruar një terren të cilësisë maksimale për skuadrën dhe kampionatin. Sipas parashikimeve, nëse gjërat ecin sipas planit, kampionët në fuqi do të kthehen në muajin janar, pas pauzës së dimrit në shtëpinë e tyre, me Niko Dovanën që do të jetë gati për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Për Teutën mungesa e ndeshjeve në shtëpi ka qenë një handikap këtë sezon, pasi skuadrës i ka munguar mbështetja e tifozerisë vendase, por në të njëjtën kohë, me shtrimin e tapetit, dhe njëkohësisht dhe inagurimin e stadiumit më të ri në vend, Kukësi Arena, pritet të zgjidhet e problematika e terreneve që ka spikatur në këto javë të fundit me disa skuadra që luajnë në shtegtim ndeshjet shtëpiake.