Nis seanca në themel për ish kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në dy raste dhe mosdeklarim të pasurisë. I pranishëm në sallë ishte Jorgo Goro, i cili u shpreh se i qëndron kërkesës së bërë në seancë paraprake për gjykim të shkurtuar.
Prokurori i çështjes Ols Dado tha se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e Goros. Gjyqtari i themelit Ardit Mustafaj pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut për procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Bashkë me Jorgo Goron, nis gjykimi me të njëjtën procedurë edhe për ish zyrtarët e tjerë të bashkisë Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, ndërsa ish kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj do të gjykohet me gjykim të zakonshëm. Për këtë të fundit, gjykata vendosi ndarjen e çështjes.
Në seancën e radhës, të datës 10 shkurt, ora 13.00, Prokuroria e Posaçme pritet të japë pretencën për Jorgo Goron dhe të tjerët.