Moti i keq dhe deti i trazuar i ditëve të fundit të nëntorit u bënë shkak për depozitimin e “maleve” me leshterikë në shëtitoren “Taulantia”.

Me përmirësimin e kushteve të motit ka nisur largimi i leshterikëve dhe pastrimi i lungomares së Durrësit, një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët.

Kryebashkiakja Emiriana Sako, përmes një postimi në rrjete sociale, thekson edhe njëherë se krahas aksionit të pastrimit të ndërmarrë nga institucionet vendore në vijën bregdetare dhe në lagjet e Durrësit, një kontribut të veçantë duhet të japin edhe vetë qytetarët, sepse “mjedisi rreth vetes nuk është vetëm hapësira jonë individuale, por është edhe hapësira e bashkëjetesës sonë qytetare”.

Postimi i plotë:

Në kuadër të nismës që kemi ndërmarrë për një qytet të pastër vijojmë pastrimin në bregdet por edhe në lagje të tjera të qytetit.

Mjedisi rreth vetes nuk është vetëm hapësira jonë individuale, por është edhe hapësira e bashkëjetesës sonë qytetare. Nisma jonë për Durrësin e pastër nuk ndalet më sepse një qytet i pastër është një qytet më i mirë për të gjithë qytetarët durrsakë dhe turistët e shumtë që na vizitojnë.

Të gjithë bashkë për një Durrës të pastër.