Tiranë, 18 mars 2014 – Presidenti Bujar Nishani e ka këshilluar Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, që të shmangë konfliktin verbal me institucionet. Në takimin rreth 75 minuta që zhvilluan të dyja palët gjatë ditës së sotme tema kryesore e bashkëbisedimit ishin kritikat e bëra nga ministri Tahiri për mosbashkëpunim të SHISH me ministrinë e Brendshme dhe deklarata e bërë nga presidenti Nishani tre dite me parë , ku theksohej se SHISH ka treguar një angazhim serioz dhe profesional në informacionin për ministrinë e Brendshme.
Pas takimit, Tahiri tha se i ka thënë presidentit të vërtetën e tij. E duke besuar tek kjo e vërtetë dhe jo tek ajo që presidenti thotë se ka nga SHISH, ministri i Brendshëm e sulmon kreun e shtetit se nuk po qëndron mbi palët
"Gjykoj që brenda kornizës institucionale dhe brenda detyrimeve kushtetuese, jemi të dënuar të gjithë bashkë t’i përkushtohemi të vërtetës. Ndaj e pashë me vend t’i bëja me dije Presidentit të Republikës të vërtetën, veçanërisht pas deklaratave të tij të fundit. Do të ishte e udhës që Presidenti i Republikës të rrinte mbi palët dhe të nxiste bashkëpunimin institucional. Gjykoj që në të gjitha rastet do ishte më e shëndoshë që Presidenti i Republikës të moderonte bashkëpunimin ndërmjet instucioneve, sesa duke neglizhuar të vërtetën të mbante një palë, cilado qoftë kjo",- u shpreh Tahiri, pas takimit me Presidentin.
Ndërkohë në njoftimin zyrtar të presidentit të Republikës bëhet me dije se kur Ministri i Brendshëm i paraqiti pretendimet në lidhje me bashkëpunimin institucional në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar, Nishani ka vënë theksin jo vetëm tek bashkëpunimi, por edhe tek besimi mes institucioneve. Ndaj e këshilloi Ministrin e Brendshëm të evitojë konfliktin verbal me institucionet, veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese.
Presidenti ka patur edhe një sygjerim për Policinë e shtetit, që të vlerësoje dhe të shfrytëzojë maksimalisht angazhimet dhe kontributet e rëndësishme të institucioneve kushtetuese të vendit në fushën e sigurisë, kjo në interes të objektivit të përbashkët në luftën ndaj krimit dhe trafiqeve.
/agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/





