Mario Balotelli nuk arrin të marrë frymë lirisht në Zvicër, aty ku aktivizohet me Sionin. Pas problemeve dhe zënkave me trajnerin, tashmë italiani po kontestohet ashpër edhe nga ana e tifozerisë e cila në ndeshjen e fundit ku Sioni barazoi 1-1 ndaj Luganos shpalosi një banderolë e cila kishte në shënjestër sulmuesin.

“Balotelli ka ardhur në Zvicër me qëllimin që të bëjë çfarë të dojë, është një dhuratë helmuese”, shkruhej në banderolën e tifozëve të Sion në drejtim të SuperMarios.

Në fakt, duke parë banderolën por edhe performancën zhgënjyese të 32-vjeçarit, trajneri i Sion Christian Constantin e zëvendësoi në minutën e 46-të duke u ulur në stol për fraksionin e dytë të lojës. Sion është në vendin e parafundit në kampionat dhe rrezikon të bie një kategori më poshtë, me Balotellin që nuk i ka përmbushur pritshmëritë duke zemëruar kështu tifozët. Balotelli u transferua te Sion në verën e vitit 2022 nga turqit e Adana Demirspor.