Vetëm një ditë pas vrasjes së një shqiptari në Itali, mediat e vendit fqinj kanë hedhur dritë mbi pistën kryesore mbi të cilën po heton policia për të zbardhur motivin e atentatit.

Duke iu referuar hetimeve të policisë, mediat italiane bëjnë me dije se dyshohet se viktima Demir Hyseni ka pasur lidhje me gruan e vrasësit, të shqiptarit 60-vjeçar Kujtim Beli, i cili u prangos mbrëmjen e djeshme, ndërsa po tentonte të hipte në traget për të udhëtuar drejt Durrësit.

Sipas të njëjtave burime, Hyseni dhe Beli ishin miq shtëpie dhe njiheshin prej kohësh.

Hyseni, raportojnë mediat italiane, dyshohet se para dy vitesh ka pasur një lidhje me gruan e Belit, e cila jeton në Gjermani, dhe është ndarë nga 60-vjeçari.

Po ashtu, mësohet se ka qenë kjo çështje, e cila ka bërë që Beli t’i japë fund martesës me gruan e tij, ndërsa mësohet se ai ishte denoncuar më parë nga gruaja e tij në polici për dhunë dhe keqtrajtim.

Pas divorcit, Beli është kthyer në Shqipëri, por duket se ai nuk e ka harruar tradhtinë e gruas së tij me Demirin, dhe për këtë, ditën e djeshme vendosi që ta vrasë atë, sapo doli nga banesa.

Mediat italiane bëjnë me dije se ka qenë një telefonatë që ka pasur viktima me vrasësin, e cila ka zbuluar autorin e ngjarjes.

Në një njëjtën kohë, mediet e vendit fqinjë raportojnë se Beli i kishte kërkuar Hysenit t’i gjente ndonjë punë në qytetin e Ternit, ku ai kishte banuar me bashkëshorten deri në vitin 2013, por viktima kishte refuzuar.