Nga BUJAR QESJA

Në atë që quhet arkiva e pasur e gazetarit, natyrisht në nivelet profesioniste dhe të stadit të avancuar, në mjeshtrinë e zanatit të vështirë të mendimit dhe të shkrimit, ruaj një foto që më drithëron. Më ngacmon, emocionon, më gëzon dhe më trondit njëkohësisht, kur shikoj në të personazhe që i kanë thënë historisë të hapë portat për ta dhe t’i strehojë, si një dukuri e pasurisë së saj.

Në këtë foto “flejnë” të qeta këtu e 73 vite të shkuara, vetëm shtatë veta. Janë që të shtata vajza. Gjashtë prej tyre 16-17 vjeçare dhe e vetmja 29-30 vjeçare. Bashkimi i kësaj shtatëshe, dha ritmin më të bukur të një intrepretimi magjik, në skenën e hapur të volejbollit shqiptar për femrat.

Këtë orkestër sportive pa as më të voglën stonaturë, e drejtonte një dirigjente e rrallë, mbase më e rralla në inventarin e imët të historisë së volejbollit. Ajo quhet Benardina Qerraxhia, gruaja e hekurt e artit dhe e sportit, e qytetarisë dhe e civilizimit, e emancipimit dhe e psikologjisë së avancuar, e përkushtimit dhe e rezistencës, e qendrueshmërisë dhe e papërkulshmërisë, e oratorisë dhe e mjeshtrisë, e kurajos dhe e gjykimit, e vendosmërisë dhe e sfidave.

Të shtatat e vlerave tona më të mira sportive. Të shtatat e përfaqësimit modern të volejbollit të kohës, që i bënë qytetit të tyre Durrësit. Ato mbeten si kurorë dafine e simbolit të fituesit ndaj rivaleve, e bindjes për t’ia dalë, pasi ushqeheshin me fuqinë e suksesit nga motori udhëheqës i tyre, e shtrenjta e jonë Benardina Qerraxhia. Janë vitet e para të pas çlirimit. Gjimnazi i njohur “16 shtatori” vatër e dijes, por edhe e kulturës dhe sportit, mbetet pika e referimit e dukurive pikante dhe tërheqëse të rinisë durrsake.

Zysh Beni, kjo shkodrane nga fisi i njohur i Qerraxhive, kishte mbaruar shkollën shqiptare amerikane të Harry Fultzit në Golem. Fiton të drejtën e studimit, duke përfunduar me rezultatin më të lartë të 30 pikëve, akademinë e Fizkulturës dhe Sporteve në Orvjeto të Romës. Dhe ishte fat i madh që zysha e famshme Beni, vjen në Durrës dhe caktohet të japë lëndën e fizkulturës në këtë gjimnaz historik “16 shtatori”.

Se çfarë reforme të plotë të mësimdhënies solli kjo mësuese, kjo magjistare e komunikimit dhe e pedagogjisë, do t’i referohemi historikut të shkollës “16 shtatori”, por edhe kësaj fotoje. Ajo mbetet pasqyrë e konceptit të zysh Benit për sportet dhe sportistet, për mënyrën e prezantimit dhe përfaqësimit, për nxitjen e shijeve të së bukurës dhe estetikes, që kur të flitej për Durrësin dhe durrsakët të mendohej e mrekullueshmia, më absolutja e zhvillimit dhe e respektit ndaj detyrës dhe detyrimeve.

I detyrohemi shumë Benardina Qerraxhisë, kësaj kryheroine të kulturës, emancipimit dhe zhvillimit. Kultivoj një autoritet të padiskutueshëm, mbi bazën e bindjeve dhe sakrificave për t’ia dalë, duke ndërgjegjësuar nxënëset sportiste për të bërë më të mirën e mundshme. Kultivoi kolektivitet, ndjenjën e bashkimit dhe bashkëpunimit, të respektit dhe të së mirës. Vështroni me kujdes pamjen e mahnitshme të kësaj fotoje, që na bën nder të gjithëve. Vajza të bukura, lule të rinisë durrsake. Janë të bashkuara si gishtat e një dore dhe përbëjnë një kurorë, që janë vendosur në të lulet më tërheqëse, duke shpërndarë aromën më joshëse, që i nxiste durrsakët t’i mbështesnin, t’i inkurajonin, t’i duartrokitnin drejt sukseseve.

E moj Benardina Qerraxhia! Sa punove, sa u lodhe, sa baltë u hodh mbi ty, duke na detyruar ne nxënësve të tu, të krijojmë tangon e kërcimit më të veçantë, të luajtur mbi pistën e magjishme të jetës tënde plot drama dhe rëndesa. Pafundësisht duhet të bëhet për ty dhe asnjëherë të mos mendojmë se i kryem detyrimet.

Ti je gazetarja e parë që përcolle kronikat e futbollit nga viti 1945, trajneria e parë e vajzave të volejbollit të Durrësit për vitin 1947, çiklistja e parë për femra ku garove në rreth kombëtar në vitin 1940, e vetmja gjyqtare femër në sportet e rënda boks dhe mundje, notare, gjyqtare dhe pjesmarrëse në lojrat ballkanike të Splitit në vitin 1947, gjyqtare në not deri në moshën 70-vjeçare, qendistare cilësore, duke skicuar dhe realizuar tërë kostumet e përfaqësimit të Durrësit në spartakiadën e parë kombëtare të vitit 1959, trajnere në sportet e volejbollit, basketbollit dhe notit, ndër aktoret e para profesioniste që në krijimin e teatrit “A. Moisiu” me 11 janar 1953, një ekzemplar i rrallë edhe në gatim , nga të parat që nisi kurset për mësimin e gjuhën angleze duke patur preferencë në Durrës, një mësimdhënëse unikale, njohëse e gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht etj. Shumë cilësova dhe po aq mbeta i paplotësuar në portretin tënd, e paharruara Benardina Qerraxhia.

Këto bukuroshe të volejbollit durrsak, janë përfaqësuese të familjeve të njohura, qytetare dhe me shumë vlera në Durrës. Emrat e tyre janë: Lumturi Cerloi, Mira Neki, Vera Tufa, Mellani Dushniku, Kristina Voilla, Eftiqi Papaj dhe Kudrete Ballhysa. Viti i përfaqësimit 1947-48-49. Ky është ekipi i volejbollit të femrave me emrin Durrësi. Kostumet e tyre të përfaqësimit, janë produkt i mendimit dhe i realizimit të mësueses së tyre, të trajneres së tyre, të motrës së tyre të madhe, të së shtrenjtës së tyre me emrin Benardina Qerraxhia. U fitua një titull kampion. Niveli i përfaqësimit ishte shumë inkurajues dhe dominues. Por përmbi titullin shkëlqente kultura dhe edukata e tyre, bukuria dhe mirësia në shpirt dhe në sjellje e kësaj pranvere të femrës durrsake, dashuria për Durrësin dhe dëshira për ti shërbyer vendlindjes së tyre.

Vajzat u rritën, u shkolluan dhe morën drejtime të ndryshme në jetë. Nga viti 1948 e deri tani kanë kaluar 73 vite. Nëse këto vajza jetojnë, mosha e tyre është tek 90 vite jetë. Mund të jetojnë të shtata. Dëshiroj që të jetë e vërtetë kjo. Mbase parajsa e tyre përtej jetës, mund të ketë ndodhur në kohë të veçanta për secilën prej tyre. Sa i takon kryezonjës së sporteve dhe qytetarisë tonë, Benardina Qerraxhia saktësia është e palëvizur. U lind me 24 janar 1919 dhe mbylli sytë me 25 maj 1994, 27 vite të shkuara. Por na lanë si pasuri këtë pamje të jashtëzakonshme, këtë pamje pamje aq të rrallë dhe mbreslënëse, duke mbetur histori drithëruese e traditës tonë.

Jam i sigurtë që kjo foto, kurrë s’ka për t’u harruar dhe kurrë nuk ka për t’u zbehur dhe ka për të ecur paralel me ekzistencën e qytetarisë durrsake. Me këtë fiksim unikal dhe me këto shënime, tentojmë të hedhim vështrime të reja të zhvillimit dhe arritjeve, për të mos i mbetur besnik vetëm disa emrave, që i lakojmë vazhdimisht si histori e vetme e jona. Ja tek e kemi traditën. Dhe çfarë tradite!

Vetëm se duhet t’i zbulojmë, t’i evidentojmë dhe t’i përcjellim në publik me vlerat që meritojnë.