Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë Biblioteka Publike e Durrësit organizoi një mbrëmje letraro-muzikore me shkrimtarin dhe poetin Visar Zhiti. Stafi i bibliotekës kishte përgatitur edhe një ekspozitë modeste me titujt e vëllimeve poetike dhe romaneve të shkruara nga Zhiti dhe që biblioteka i disponon në fondin e saj libror. I lindur në Durrës në vitin 1952, Visar Zhiti, pas mbarimit të studimeve pedagogjike në Shkodër u emërua mësues në Kukës.
Në atë kohë ai nisi të botonte poezitë e tij të para në revistat letrare të asaj kohe. Por menjëherë pas kësaj ai do të prangosej, pasi dorëshkrimi i përmbledhjes së tij “Rapsodia e jetës së trëndafilave" do të kritikohej për gabime të rënda ideologjike dhe nxirje të realitetit socialist.
Nga viti 1979-1987 ai vuajti dënimin në burgun e Tiranës e më pas në atë të Spaçit. Detaje nga procesi gjyqësor ndaj Zhitit, i zhvilluar në Kukës do të sillte në mbrëmjen poetiko-letrare mësuesja durrsake Natasha Rota Dyrmyshi, e cila kujtoi sallën e gjyqit, pranë gjimnazit "28 Nëntori", të qytetit të Kukësit, si dhe rrezet e diellit të asaj dite që i ngrohnin shpinën Zhitit, ndërsa diktatura po vinte në zbatim gjyqin farsë ndaj tij. Ndërkohë referuesi kryesor, Shpëtim Kodra, theksoi gjatë fjalës së tij se “Vlerësimi dhe mirënjohja ndaj veprës dhe veprimtarisë së krijuesit Visar Zhiti, që na rrëfen aventurën infernale në burgjet e regjimit të kaluar, përbën një detyrim moral tonin për t’i vlerësuar këto figura”.
Në një analizë që Kodra i bëri dy librave të fundit të Zhitit, “Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin” dhe romanit “Ferri i çarë”, i bazuar në personazhe dhe ngjarje të vërteta, theksoi se kujtimet që sjell autori shërbejnë si ballafaqim me të vërtetën historike, por dhe si homazh për viktimat e diktaturës.
“Të dy librat i bashkon e njëjta ide, i njëjti rrëfimtar, njëherazi personazh i asaj drame dhe tragjedie njerëzore që konsumohet në faqet e shkruara. Në këto libra Zhiti shfaqet si një njeri i drejtë, plot dëshira për të vërtetën, plot respekt për familjen, për babain në veçanti”,- tha Kodra gjatë analizës së tij.