OKB njofton fillimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, më shumë se dy muaj e gjysmë pasi Izraeli vendosi një bllokadë të plotë mbi enklavën palestineze.

Ndërkohë, Izraeli është vënë në një presion në rritje nga bashkësia ndërkombëtare për mënyrën se si e ka trajtuar luftën në Gaza, qeveria izraelite njoftoi më parë këtë javë se do të lejojë akses të kufizuar humanitar në enklavën palestineze.

Dje, të mërkurën, “OKB mblodhi ngarkesat e afërsisht 90 kamionëve në pikën e kalimit të Kerem Shalom dhe i dërgoi ato në Gaza”, tha në një deklaratë Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Zyra e shtypit e qeverisë së Hamasit që kontrollon Gazën konfirmoi se ngarkesa me 87 kamionë kishte hyrë në enklavë, në një mesazh në Telegram gjatë natës.

Nga ana e tij, Izraeli kishte njoftuar dje se 100 kamionë me ndihmë humanitare të OKB-së – miell, ushqim për fëmijë dhe furnizime mjekësore – kishin hyrë në Gaza, pas 93 kamionëve që kaluan nëpër enklavë të martën dhe 10 të hënën.

Por asnjë nga këto ngarkesa nuk kishte arritur të largohej nga zona e shkarkimit të Kerem Shalom deri më tani.

Autoritetet izraelite lejuan ekipet e OKB-së vetëm “të kalonin nëpër një zonë shumë të dendur të populluar, të cilën ne e gjykuam të pasigurt dhe se plaçkitja ishte shumë e mundshme duke pasur parasysh privimin e zgjatur” që palestinezët kanë vuajtur në javët e fundit, vuri në dukje Dujarric më herët dje.

Për OKB-në, ndihma që ka hyrë në Gaza është një “pikë uji në oqean” në raport me nevojat e banorëve të saj: para shpërthimit të luftës, në tetor 2023, afërsisht 500 kamionë me ndihma hynin në enklavën palestineze çdo ditë.