Nga kënga në parukeri duket një kalim shumë i madh, por nuk është i tillë për Raimonda Kamberin. Vajza e talentuar durrsake që shumë vite me rradhë shtrëngonte plot emocion mikrofonin tani lëviz plot shkathtësi e mjeshtëri gishtat e saj nëpër kokat e klientëve grekë. E nderuar me çmim të shtatë në OMC Europe Cup, durrsakja e talentuar i ka bërë fqinjët tanë jugorë ta shohin tashmë me një sy tjetër, ndërkohë që mediat i referohen gjithnjë për këshilla të ndryshme përsa i përket tendencave më të reja në këtë fushë  

Në festivalin e interpretuesve të rinj këngëtarja e mirënjohur Vaçe Zela do t’i bënte komplimente një vajze të re duke e krahasuar zërin e saj me butësinë e mëndafshit. Kaq do të mjaftonte për t’i dhënë jetë ëndrrës së Raimondës adoleshente për të synuar të bëhej këngëtare e madhe. Por gjërat do të rrokulliseshin me shpejtësi për vajzën durrsake që regjimi i kohës nuk do ta linte të vazhdonte pasionin e saj. Po flas për Raimonda Kamberin (Ramadhi), këngëtaren që korri sukses në skenat e Durrësit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, por që një cen në biografi mjaftoi për të shuar përgjithmonë një ëndërr që sa kishte nisur të realizohej. Në pamundësi për t’u marrë me këngën ajo provoi një tjetër mënyrë të të bërit art, zbukurimin e kokave të njerëzve. La mikrofonin për të rrëmbyer gërshërët e për t’u shndërruar në një nga parukieret më të suksesshme greke. Po si nisi historia e vajzës që u rrit skenave të teatrove dhe estradave të vendit tonë e që tashmë bën të lumtur mijëra njerëz me duart e saj të arta?

Hapat e para në këngë

Raimonda rrëfen se që kur ishte e vogël e sa kishte nisur të shkonte në shkollë arti nisi të rritej me të. Vajza e vogël krahas të kënduarit ushtrohej edhe në kitarë e balet. Pra ishte një fëmijë që aftësitë e saj në këtë fushë po i shfaqte që në hapat e parë që po hidhte në jetë. Duke u kthyer tek kujtimet e fëmijërisë, Raimonda kujton se në moshën 6-vjeçare ishte soliste e shtëpisë së pionerit në Durrës. Përkujdesjet që tregonin për të profesorët e saj si Jani dhe Vaso Llapa, Nazmi Mici apo drejtori i kësaj shtëpie, Sazan Bitri do të ushtronin një ndikim të madh tek kjo vogëlushe për ta brymosur me dashurinë për artin. Angazhimet e vazhdueshme me shtëpinë e pionerit dhe pjesëmarrjet në festivalin e fëmijëve në Shkodër shtonin edhe më shumë përgjegjësinë e Raimondës për t’u paraqitur sa më mirë para publikut. Ndërsa vitet kalonin, Raimonda nisi të shfaqej edhe në skenën e ish pallatit “Rinia” ku kujton me emocion interpretimin e këngës “Valsi i lumturisë” e kënduar nga e madhja Vaçe Zela. Përfundimi i këngës u prit me duartrokitje të forta nga publiku, që nuk priste një interpretim kaq të arrirë për më tepër sepse këndohej nga një vajzë mjaft e re. Mbështetja që i kanë dhënë qytetarët durrsakë sa herë këndonte në skenë është një nga kujtimet më të bukura, që Raimonda ruan në kujtesë. “Më thërrisnin Oselito,- kujton ajo,- dhe kjo gjë dukej sikur më jepte krahë”.

Duartrokitjet e asaj kohe i treguan se vërtet kishte talent dhe duhet ta vazhdonte këtë rrugë që kishte nisur. Aftësitë e saj vokale dhe interpretimi plot emocion i hapën tashmë dyert e estradës së Durrësit, ku Raimonda jepte shfaqje krahas figurave të njohura të skenës durrsake si Fadil Hasa, Aishe Stari, Zija Saraçi, Elibeti Tirana etj. Por adoleshentja durrsake nuk do të mbetej këtu. Pas pjesëmarrjes në festivalin e interpretuesve të rinj, ku konkuroi me këngën “Djaloshi me këmishën flakë të kuqe” dhe vlerësimit nga e mirënjohura Vaçe Zela vajza vendosi t’i përkushtohej këngës. Në vitet 1982-1983 nisi të studiojë për kanto popullore dhe u bë pjesë e ansamblit të shtetit, ku interpretonte krahas të mirënjohurave të skenës sonë si Zeliha Sina, Fitnete Rexha, Naile Hoxha etj. Atë periudhë Raimonda e kujton me mjaft nostalgji, pasi kishte si mësues profesorë të nderuar, emra të afirmuar tashmë në fushën e artit, si Ramiz Kovaçi, Ibrahim Tukiçi, Luiza Papa etj. Por një cen në biografi do t’i ndërpriste rrugën e artit dhe do t’i mbyllte dyert e skenës. Për një artist thyerja e ëndrrave është një moment mjaft i vështirë, por Raimonda u përpoq ta kalonte. Ato ishin vite të vështira, por transformimet që ndodhën në vendin tonë do të trondisnin dhe ndryshonin përgjithmonë jetën e saj dhe atë të qytetarëve shqiptarë.

Largimi drejt Greqisë

Vitet ’90 e gjetën Raimondën, ashtu si dhe shumë bashkëatdhetarë të tjerë të saj në rrugët e emigrimit. Së bashku me bashkëshortin Uran Ramadhi iu drejtua Greqisë. “Ishin vite shumë të vështira,- kujton Raimonda. Jam detyruar të bëj punë nga më të ndryshmet sepse na duhej të mbijetonim. Emigrimi ishte shumë i vështirë, sidomos në ato vite kur grekët na shihnin me sytë plot racizëm”. Pavarësisht vështirësive, shpirti artistik që deri atëherë kishte qenë i fjetur thellë trupit të Raimondës nis të nxjerrë krye. Dhe këngëtarja e dikurshme tashmë që nuk mund të rrokte sërish mikrofonin e të niste të këndonte e zëvendësoi atë me një palë gërshërë. Gishtat, që shumë kohë më parë ishin ushtruar nëpër telat e kitarës, tashmë do të zbukuronin flokët e njerëzve. Kënga u zëvendësua me parukerinë dhe Raimonda nisi një rrugëtim të ri për të e me plot surpriza, por që do t’i dhuronte kënaqësi të shumta profesionale. Pas shkollës së parukerisë ndoqi një kurs të mëtejshëm në Redford, Angli. Në përfundim, pas marrjes së diplomës 15 vite më parë, Raimonda kishte të drejtë të hapte sallonin e saj të bukurisë në cilindo vend europian. Rikthehet sërish në Athinë dhe hap biznesin e saj, “Rai 2” (shkurtim i emrit të saj), i cili vit pas viti do ta zgjeronte mjaft rrethin e klientelës.

Rai 2

Salloni i saj i parukerisë është investimi i saj më i rëndësishëm, është biznesi ku ajo gjen veten, profesioni me të cilin identifikohet dhe njihet nga të gjithë. Ajo ndihet mirë kur merr shumë komplimenta nga klientet, kur i sheh që ato rikthehen sërish sepse e pëlqejnë punën e saj. Edhe ndihmësit e saj janë shqiptarë, djem e vajza të talentuara që siç thotë vetë Raimonda,- “janë një shtysë mjaft e madhe për të çuar përpara biznesin”. Në të njëjtën kohë ajo nuk harron të falenderojë shumë edhe bashkëshortin Urimin, i cili ka qenë mbështetja kryesore në çdo moment të vështirë me të cilin janë përballur gjatë viteve në emigrim. Megjithëse sheh se e ka konsoliduar biznesin e saj, Raimonda nuk kënaqet asnjëherë. Mendon se ka gjithmonë gjëra të reja për të mësuar, modele e tendenca të reja që duhet t’u propozohen klienteve. Për këtë ajo është vazhdimisht në lëvizje mes Europës dhe SHBA-së, për të ndjekur nga afër trajnimet me parukierë të famshëm. Siç shprehet dhe vetë,- “në këtë zanat ka gjithnjë vend për të mësuar, për këtë unë përpiqem të ndjek nga afër trajnimet ndërkombëtare dhe të marr pak nga sekreti i parukierëve të njohur botërisht. Dëshira dhe pasioni më kanë udhëhequr gjithnjë në këtë profesion dhe unë përpiqem të jap më të mirën nga vetja. Kështu dhe klientët mbeten gjithnjë të kënaqur”.

Vlerësimet ndërkombëtare

Për shqiptarët ishte mjaft e vështirë të gjenin punë në Greqi e jo më të menaxhonin një biznes të tyrin. “Kishte shumë racizëm nga ana e grekëve dhe administrimi i biznesit ishte i vështirë. Por me sforco vazhdova ambicien time. Ndërkohë merrja pjesë në shumë trajnime profesionale të cilat më ndihmuan shumë në arritjet e mëtejshme. Kam qenë në trajnime në SHBA, Itali, Hollandë, Spanjë e Angli”,- thotë Raimonda. E kështu biznesi pak e nga pak nisi të ecte përpara dhe grekët nisën të bindeshin për aftësitë e emigrantes shqiptare. Arritjen më të madhe profesionale Raimonda do ta kishte në Festivalin Europian të Parukerisë (OMC Europe Cup 2009), ku mes shumë parukierëve ajo u nderua me çmimin e shtatë, duke lënë pas dhe homologët e tjerë grekë, pjesëmarrës në këtë aktivitet. Të vjen keq vetëm për faktin se Raimonda përfaqësoi Greqinë në këtë konkurs ndërkombëtar, por ndihemi mirë për faktin se një shqiptare arriti të afirmohej në këtë fushë. Tashmë që parukierja shqiptare ishte vlerësuar në një eveniment të rëndësishëm, kjo gjë nuk mund të kalonte pa u vënë re nga mediat greke, të cilat nisën të shkruanin artikuj për punën e saj. Tani salloni i saj është ndër më të preferuarit në Athinë, ndërkohë që i gjithë stafi përbëhet nga shqiptarë. Ai frekuentohet në çdo kohë nga spikere televizive apo vipat grekë dhe kjo ia ka shtuar shumë punën. Gjithsesi Raimonda shprehet se çdo klienteje i rezervon të njëjtën përkujdesje, qoftë kjo person publik apo qytetare e zakonshme.