Me 22, 23 dhe 24 qershor të këtij viti, Autoriteti Portual i Durrësit hapi dyert katërkanatësh siç thotë urtësia popullore. Ky i këtij viti ishte edicioni i tretë i Megafestës “Open Port 2012”. Personalisht vazhdoj të ushqej bindjen e palëkundur, se mbetet nga nismat shpresëdhënëse për t’i dhënë opinionit atë që se ka patur deri tani: të bëhet “pronar” i portës hyrëse më të madhe të vendit siç është Porti Detar për 3 ditë. Dhe ky është një privilegj që nuk duhet humbur rasti për ta trajtuar të tillë. Pata rastin të prekja vigjiljen e kësaj feste. Dhe sebep u bë Shoqata Durrësi, e cila me rastin e Festës së Detit 2012, miqve dhe anëtarëve të saj u dhuroi një shëtitje turistike në kaltërsinë e Adriatikut, në atë që quhet akuariumi i portit. Kam patur rast të bisedoj shtruar me drejtorin e Autoritetit Portual, Eduart Ndreu, mbi këtë nismë të tij, që porti një herë në vit t’u dorëzohet njerëzve të kujtdo rangu qofshin dhe të çfarëdo moshe. Të shijohet ky gjigand apo kjo pronë e palëkundur e popullit me atë të veçantë që ka: detin. Kjo është joshja.

Dhe me sebep të detit, fantazitë e organizatorëve ofrojnë specifikën e rastit siç janë vizitat në anije, prekja e zhvillimit europian të kësaj porte hyrëse bregdetare të vendit, madje madje të shijohet edhe një birrë e ftohtë e takim miqsh në këtë mjedis origjinal dhe të papërsëritshëm. Ideja dhe realizimi i deritanishëm është në kufijtë e inkurajimit dhe të përshëndetjes. Madje simbolika e zotit Ndreut është e qartë, teksa hipur në një mjet të hijshëm dhe modern lëvizte në të gjithë hapësirën e portit, sikur donte t’u thoshte vizitorëve: Mirë se erdhët. Jam i sigurtë se kjo gjë është përcjellur. Nuk ma do mëndja se qëllimi komercial apo thënë shkoqur joshjet financiare të të ftuarve që bënë muzikën dhe artin në ato ditë, të kalojë raportin e propagandimit të portit dhe kësaj pasurie kombëtare në interes të të dytëve. Atëhere cili është sugjerimi i një bashkëqytetari për Ndreun dhe i një shkruesi veteran të letrave? Sensi i sugjerimit anon nga e mira, nga ai që porti edhe më tej të paktën në ato tri ditë të vitit të mbetet vërtet Open.

Meqenëse jemi në faqet sportive të Dyrrahut, sugjerimi këtu anon më shumë. Pra tek sporti. Festa e portit po e quajmë për momentin, sado mirë të organizohet, po u fokusua dhe u mendua të bëhet në të shumtën e kohës në tokë sikur e zbeh raportin e ujit me qytetarin. Një sugjerim modest i imi, që do të isha fort i gëzuar në se më merret parasysh për qershorin e ardhshëm, është të jap disa mendime për të shfrytëzuar këtë pra, ujin, pa të cilin nuk ka port. Durrësi mbetet i njohur në vaterpolo dhe kanotazh, përkrah garave të notit. Kujtoj që Federata Shqiptare e Notit e themeluar në Durrës në vitin 1929, kur janë bërë edhe garat e para ka patur në program këto gara kaq të bukura dhe masive. E përsëris kanotazhin dhe vaterpolon. Më vjen mirë që zoti Ndreu ka shkallë njohje me homologët e tij gjermanë, italianë dhe të ndonjë shteti tjetër dhe mund t’i kërkojë bashkëpunimin që tani. Po kështu edhe me organet dhe organizmat shqiptare të sportit. Mbetem i bindur se ky Port i Hapur duhet të përqendrohet edhe si festë kombëtare, mbase mbase edhe mbarëkombëtare, pasi porti e ka këtë privilegj.

Në Portin e Hapur të organizohet edhe kampionati i notit i Shqipërisë dhe të vendosen dy zadra, aq tradicionale dhe përmallësuese për durrsakët. Në adoleshencën time të hershme, por edhe para saj e di mirë, që në port organizoheshin kampionatet kombëtare të notit dhe një popull i tërë futej brenda në kalata. Madje kur Lokomotiva fitonte titullin kampion, njerëzit hidheshin me gjithë rroba në ujë. Festa sportive ishte e garantuar. Bashkëpunimi me Italinë rrok krahas Guardia di Finanza-s edhe ushtrinë. Fare mirë mund të bëhet edhe demonstrime në ujë nga flota italiane në bashkëpunim me atë shqiptare. Demostrime të tilla janë të njohura sidomos tek fqinjët tanë. Një maratonë e notit mund zhvillohej duke u nisur nga feneri e të përfundonte në sektorin Iliria apo Hekurudha dhe njerëzit atje do të bëheshin “mullar” duke i ndjekur. Kështu që promovohet me këtë rast edhe plazhi i Durrësit, që ka pikën në këtë stinë të nxehtë. Fantazia shtrihet edhe më tej edhe tek ndërtimi i shfaqjeve artistike pikërisht në det, diku në basenin e portit. Dhe këto shfaqje të mbaronin me fishekzjarre duke shfrytëzuar një perimetër të gjërë të këtij baseni, duke ia rrëmbyer edhe më tej vizitorëve dhe turistëve këtë festë të Portit të Hapur. Fishekzjarret nga deti janë njëmijë herë më të bukura dhe më spektakolare, se sa ato të shfaqura në tokë.

Njeriu i mirë Idriz Gashi me një grusht njerëzish organizon Turneun Ndërkombëtar Vllaznimi në futboll, ku këtë vit kishte të ftuar 2800 futbollistë nga shtatë vende të botës. Prandaj sugjerimi im anon edhe nga bashkëpunimi me fqinjët, për gara notimi demonstrative, ku edhe ndonjë emër i famshëm i sportit do të bënte fajde. Në maratonat e famshme të notit që bota i përdor shpesh, përfundimi mund të bëhej në Portin e Durrësit pikërisht në 3 ditët e festës. Mendja do vrarë për shumë forma, që publiku të mos mendojë vetëm që atë ditë birrën e ftohtë dhe mezet t’i konsumojë vetëm në port, sepse është thjesht i hapur, duke bërë një zëvëndësim  formal mjedisi me lokalet e zakonshme. Jam i prirur të besoj se vitin e ardhshëm, sportet e ujit do të thonë fjalën e tyre dhe do ta bëjnë këtë port të hapur edhe më të hapur, më të zgjeruar jo vetëm formalisht, por edhe në koncept. Shumë durrsakë janë mjeshtra të serfit, një sport jashtëzakonisht i bukur. Mund të aplikohen gara edhe me motora uji. Natyrisht kërkojnë angazhim të madh. Por pse nuk është i tillë porti ynë? Teksa isha akoma në kënaqësinë e një nisme të merituar dhe të destinuar të gjejë përkrahës si puna ime, si njeri i lindur në Durrës dhe ku ujët e detit më kanë njomur trupin gati që në lindje, me ndjesinë e mirë gjykova të shtroj në këtë formë këto sugjerime. Në vend të urimit për suksesin e arritur, mendoj se këto sugjerime mund të sjellin ndihmesë në formulimin e ardhshëm të festës tashmë popullore “Open Port”.