Në kantierin e ndërtimit të projektit “Durrës Marina” pritet të nisë puna për bonifikimin e plazhit. Pas dritës jeshile të dhënë në mbledhjen e ditës së mërkurë të Këshillit Kombëtar të Territorit, punimet në kantier do të përqendrohen në pastrimin dhe bonifikimin e plazhit në pjesën lindore të portit të Durrësit, i cili do të lidhet me shëtitoren bregdetare dhe plazhin klasik të sektorit Apollonia.

Nga ana tjetër, KKT i ka hapur rrugë nisjes së punimeve për një tjetër godinë rezidenciale, krahas dy të parave për të cilat ka nisur puna në terren prej më shumë se një muaji.

E ndërsa në kantierin e “Durrës Marina” do nisin të hedhin shtat godinat rezidenciale, në një tjetër segment të vijës bregdetare të Durrësit planifikohet ndërtimi i një kompleksi elitar vilash dhe porti jahtesh.

Në mbledhjen e së mërkurës, KKT ka dhënë një leje zhvillimi dhe një leje ndërtimi për zonën e Kepit të Rodonit  

Konkretisht leja e zhvillimit është për objektin: “Kompleks elitar vilash, hoteleri dhe shërbime me vendndodhje në Shetaj, me subjekt zhvillues shoqërinë “MË Plan” sh.p.k.

Ndërsa porti i jahteve që planifikohet të ndërtohet në këtë zonë ka subjekt zhvillues shoqërinë “Praslin Investment” sh.p.k.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe ndërtimi i ambienteve shtesë të Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit, një “Kompleksi magazinimi dhe tregtimi të produkteve bujqësore dhe pemëtarisë”, një godine banimi dhe shërbimesh etj.

Të gjitha lejet e miratuara nga KKT për bashkinë Durrës:

1.Leje Ndërtimi për objektin: “Shtesë ambientesh për Muzeun Kombëtar Arkeologjik të Durrësit”, me vendndodhje në rrugën “Taulantia”, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues Zyra UNOPS në Shqipëri.

2.Leje Ndërtimi për objektin: “Marina & Jahtet e Durrësit, Faza 1, Punime Detare”, me vendndodhje në Bashkinë Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Durrës Marina” sh.a.

3.Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt banimi dhe shërbimesh në parcelën A01”, me vendndodhje në Bashkinë Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Durrës Marina” sh.a.

4.Leje Zhvillimi për objektin: “Qendër multifunksionale”, me vendndodhje në Bashkinë Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Ferra & Co” sh.p.k.

5.Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks magazinimi dhe tregtimi i produkteve bujqësore dhe pemtarisë”, me vendndodhje në Bashkinë Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Naim Tragaj Group” sh.p.k.

6.Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks elitar vilash, hoteleri dhe shërbime me vendndodhje në Shetaj (Kepi i Rodonit), Komuna Ishëm, Bashkia Durrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “MË Plan” sh.p.k.

7.Leje Zhvillimi për objektin: “Vilë individuale”, me vendndodhje në Rrugën: “Plazhi 13”, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues Z. Ergys Agasi.

8.Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimesh”, me vendndodhje në Rrugën: “Spiro Puteci”, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Rei” sh.p.k.

9.Leje Ndërtimi për objektin: “Port jahtesh”, me vendndodhje në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Praslin Investment” sh.p.k.