DAVOS– Në botën e sotme, identifikimi dhe menaxhimi i vatrave të krizës nuk janë thjesht çështje të nxjerrjes së hartës, përcaktimit të zonës së luftës dhe fuqizimit të diplomatëve për të shuar flakët. Për të kuptuar konfliktet dhe konfrontimet e sotme, ne duhet të identifikojmë mënyrat dhe kushtet politike globale që ndikojnë në to.

Konfliktet ka më shumë gjasa që të paraqiten dhe të zgjasin atëherë kur ata që kanë mjetet për parandalimin e tyre nuk munden dhe nuk janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë. Fatkeqësisht kjo gjendje do të vazhdojë edhe më 2013. 

Në SHBA, me përjashtim të ndonjë krize të jashtme që rrezikon drejtpërsëdrejti sigurinë amerikane, administrata e presidentit Barack Obama do të përqendrojë shumicën e kohës, energjisë dhe kapitalit politik në reduktimin e borxhit dhe prioritetet tjera të brendshme. Në Evropë, zyrtarët do të vazhdojnë përpjekjet e tyre që ta kthejnë besimin në eurozonë. Dhe, në Kinë, ndonëse kërkesat për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës do të detyrojnë liderët e ri të krijojnë lidhje të reja me rajonet tjera, zyrtarët do të jenë tejet të preokupuar me kompleksitetet e reformave ekonomike, duke mos qenë të gatshëm të marrin përsipër kostot e panevojshme dhe rreziqet jashtë Azisë. Për këtë arsye, krizat në botë do të zgjasin më shumë dhe do të jenë më të nxehta këtë vit. 

Kjo nuk do të thotë se fuqitë botërore vetë nuk do të shkaktojnë dëme. Sot, këto qeveri ka më shumë gjasa që të përdorin aeroplanë pa pilotë dhe forca speciale për të goditur ata që i konsiderojnë armiq. Bota tashmë është mësuar me sulmet ajrore amerikane në Afganistan, Pakistan dhe Jemen, por raportet e fundit të agjencive ndërkombëtare sugjerojnë se Kina dhe Japonia po ashtu janë duke investuar në prodhimin e aeroplanëve pa pilotë – pjesërisht për ta rritur ndikimin e tyre në kontestet rreth ishujve në Detin e Kinës Lindore. Duke ulur kostot dhe risqet e një sulmi, këto novacione teknologjike e bëjnë më të mundshëm ndërhyrjen ushtarake. 

Mbase mënyra më së paku e kushtueshme për të sulmuar rivalët dhe armiqtë është sulmi kibernetik. Për këtë arsye, shumica e qeverive që kanë fonde – ashtu si edhe disa që nuk janë të pasura – janë duke investuar me të madhe në teknologjinë dhe shkathtësitë e domosdoshme për të rritur kapacitetet. 

Kjo formë e luftës është posaçërisht shqetësuese për dy arsye. Së pari, për dallim nga struktura e periudhës së Luftës së Ftohtë, armët kibernetike u mundësojnë atyre që i përdorin për të sulmuar në mënyrë anonime. Së dyti, ndryshimet e vazhdueshme në teknologji sigurojnë që asnjë qeveri të mos e dijë se sa dëme mund të shkaktojnë armët kibernetike dhe sa efekt do të kenë ato. 

Si rezultat i kësaj, qeveritë tani janë duke testuar mënyrat e ndryshme të mbrojtjes, duke e rritur rrezikun e ndonjë përplasjeje të rastësishme. Po qe se John Kerry dhe Chuck Hagel konformohen në postet e sekretarit amerikan të Shtetit, respektivisht të Mbrojtjes, administrata Obama do të ketë dy skeptikë të dalluar të ndërhyrjes ushtarake. Por, rritja e investimeve amerikane në fluturake pa pilot, mjete kibernetike dhe armë tjera jokonvencionale pritet që të vazhdojë. 

Këto avancime teknologjike paraqesin sfondin për konkurrencën dhe rivalitetet në dy vatrat me rëndësinë më të madhe gjeopolitike. Në Lindjen e Mesme, zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë do të vazhdojnë të mos jenë të gatshëm që të kenë rol më të madh për të parandaluar trazirat rajonale këtë vit, duke u lënë fuqive politike – Turqisë, Iranit dhe Arabisë Saudite – mundësinë që të kenë më shumë ndikim. Konfrontimet midis të moderuarve dhe militantëve, ashtu si edhe midis fraksioneve sunite dhe atyre Shiite, po ndodhin në disa shtete të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. 

Zyrtarët amerikanë kanë arsye për të besuar se me kalimin e kohës do të jenë në gjendje të shqetësohen më pak për rajonin dhe problemet e tij. Sipas projeksioneve aktuale, novacionet teknologjike në burimet jokonvencionale energjetike do t’i mundësojnë SHBA-së të përmbushë më shumë se 80 për qind të kërkesës së saj për naftë prej burimeve në Amerikë Veriore dhe Jugore deri më 2020. Kina në anën tjetër pritet të bëhet më e varur për burimet energjetike të Lindjes së Mesme. 

Ndërkohë, Azia Lindore do të mbetet vend problematik më 2013. Shumica e fqinjëve të Kinës druajnë se ekspansioni i saj i vazhdueshëm ekonomik dhe ushtarak paraqet kërcënim në rritje për interesat dhe pavarësinë e tyre. Ato po mundohen që të afrohen me SHBA-në për të diversifikuar partneritetet e tyre të sigurisë. SHBA-ja, e interesuar që të përmirësojë perspektivën e saj afatgjatë ekonomike, duke u lidhur me partnerë të ri tregtarë në rajonin me rritje më të shpejtë në botë, është duke përqendruar resurset në Azi. 

Ekziston rreziku që udhëheqja e re kineze praninë më të madhe amerikane në rajon do ta interpretojë si përpjekje për frenimin e rritjes së Kinës. Tashmë kemi parë një numër konfrontimesh shqetësuese në rajon, si Kina kundër Vietnamit dhe Filipineve në Detin Jugor kinez, ashtu si edhe kundër Japonisë në Detin Jugor kinez. Derisa këto konteste ka pak mundësi që të provokojnë aksion ushtarak këtë vit, përdorimi i aeroplanëve pa pilotë dhe armëve kibernetike mbetet kërcënim i njëmendtë. 

Rreziku më i madh për 2013-ën është një konflikt ekonomik i shkallës së madhe në Azi, që nuk do të dëmtonte vetëm shtetet e përfshira drejtpërsëdrejti, por edhe do ta vinte në rrezik rimëkëmbjen globale. Të shtënat e para në këtë betejë tashmë janë shkrepur.

Verën e kaluar mospajtimet rreth një numri ishujsh të kontestuar në Detin Jugor Kinez kanë shkaktuar akuza të ndërsjella midis Kinës dhe Japonisë, ekonomisë së dytë dhe të tretë të botës. Dy palët nuk ishin kurrë në rrezik që ta nisnin një luftë, por zyrtarët kinezë lejuan që protestat nacionaliste të shndërrohen në bojkotim të produkteve japoneze dhe vandalizim ndaj kompanive japoneze. Eksportet japoneze të veturave në Kinë pësuan një rënie prej 44.5 për qind, derisa importet e Kinës nga Japonia ranë për gati 10 për qind – e tërë kjo brenda vetëm një muaji. 

Ishte kjo një goditje e rëndë për ekonominë japoneze, edhe ashtu në telashe. Është ky edhe paralajmërim për të gjithë ne se lufta mund të bëhet edhe pa ushtarë, tanke dhe raketa, por megjithatë mund të ketë pasoja të mëdha. 

(Javier Solana ishte ministër i Jashtëm i Spanjës, sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Ian Bremmer është president i grupit “Eurasia”. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”)