-Mbi tezën raciste dhe përçarëse Shoqata “Durrësi autokton”

-11 foto për të kuptuar kë kemi humbur

-Të tregojë Abdulla Deliallisi, si doli kryetar i Shoqatës “Durrësi”

-Një turp shpirtëror, që i është varur si kular qytarisë durrsake

-Ndaj një kryetari të paligjshëm duhen ndërprerë të gjitha lidhjet zyrtare

-Shoqata “Durrësi” nuk është të monarki që trashëgohet

-Në Durrës duhet gjendur statura e një intelektuali race të drejtojë

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Kam pritur një vit, apo 12 muaj, apo 366 ditë, apo 8784 orë për të ardhur në një material të tillë, apo në një problematike shumë të mprehtë dhe delikate, që ka të bëjë me humbjen e një miku dhe veprimtari të rrallë, por edhe me zbërthimin e disa argumenteve që kanë dalë në ecurinë e këtij limiti kohor. Nuk e kam menduar se lapsi im do të çfaqte ndonjëherë në letër, një shkrim të tillë që ka brënda dhimbje dhe mall, për një drejtues fori serio të shoqatës “Durrësi” siç ishte i ndjeri Shpëtim Metani dhe ecurinë sterr të zezë, dramatike dhe lemeritëse të shoqatës “Durrësi”.

Kaloi një vit pa ty Shpëtim! Po në këtë 28 shtator 2020, është kujtimi një vjeçar i largimit nga jeta, por njëkohësisht edhe ringjallja e jote. Teksa lexoja fjalën drithëruese kur po të jepnim lamtumirën e fundit, me shumë trishtim gati sa nuk pranoja se, shoqata nuk do të vijonte të ishte ajo e para, por kurrë të besoja, aq më pak të mendoja, se ajo do të kthehej në një ferr të vërtetë.

Nuk e besoja se do të ishte ajo e para, pasi cilësitë e t’ua Shpëtim, aftësitë dhe talenti yt, ishin të lindur për të drejtuar së bashku me shokë dhe shoqe të zellshme, një nga shoqatat më me reputacion, më autoritare, më të famshme në të gjithë Shqipërinë. Po kujtoj një thënie lapidar të fisnikut Halil Myderrizi, dhimbja për ikjen e të cilit ende nuk më është larguar.

Kur erdhën në Durrës një grup veprimtarësh vlonjatë dhe për t’u njohur me arritjet e Shoqatës “Durrësi” dhe pasi u ulën në selinë e shoqatës, Halili ynë u tha para se flitnin:

-Keni Shpëtim Metani ju në Vlorë?

-Natyrisht që jo, folën miqtë.

-Atëhere, shtoi Myderrizi, ju se bëni këtë punë.

Ky pohim i mënçur i ka të gjitha brenda, duke qenë të gjithë në unison, se Shpëtim Metani mbeti hallka lëvizëse, frymëzuese dhe zbatuese e të gjitha hapave pozitive afro 30 vjeçare që ka hedhur shoqata “Durrësi”. Se kam thënë kurrë më parë, mbase është rasti tani të pohoj, se edhe në largimin nga jeta të Shpëtim Metanit, kosto mbetet nga angazhimi përtej fuqive të tij për të përballuar ritmin e lartë, shumtë të lartë të punës. Në veprimtarinë e fundit të fest detit në qershor të vitit 2020, teksa moderoja veprimtarinë, diku pas kuintave, krejt i zverdhur dhe i drobitur më vjen Metani ynë dhe më thotë:

-Bujar nuk jam mirë. Më dhëmb gjoksi dhe fryma më ndërpritet. Ishalla nuk kam ndonjë gjë të keqe!

Ishte qullur i tëri nga djersët dhe në çast i fola:

-Bjeri mbrapa Shpëtim. Për mua, mbasi i kam hequr në kurriz vetë, duhet të jenë probleme zemre.

Dhe vjen mëngjesi i 28 shtatorit 2019, ku infarkti i miokardit, apo rrufeja e trupit, na e rrëmbeu Shpëtim Metanin, këtë drejtues fantastik të shoqatës sonë historike dhe të përbashkët me emrin e vendlindjes “Durrësi”. E dija dhe e besoja se do ta kishim shumë të vështirë, për të mbledhur forcat dhe përballë lotëve dhe dhimbjes të ringriheshim. E dija se puna titanike e Shpëtim Metanit nuk do të bëhej më, por të paktën të mos dorëzoheshim, të mos linim “armët” e punës dhe të lidhnim besën e vazhdimësisë.

Jo më kot nga qindra foto, kam zgjedhur 10 për ti ripublikuar dhe për të treguar se çfarë ishte në gjëndje të bënte ky njeri, turbinë gjeneruese e punëve të mëdha, se si e organizonte masën e njerëzve, duke i mbledhur durrsakë dhe të ardhur në një të vetëm, për të evidentuar vlerat e hershme të zotnillëkut dhe qytetarisë durrsake. Dhe Zoti ia kishte vënë emrin Shpëtim, për të shpëtuar në të gjallë të tij prestigjin tonë, duke na e vendosur autoritetin në piedestal. Por edhe në këtë 28 shtator të vitit 2020, një vit pas largimit nga jeta, ai vjen sërish pranë nesh por i ringjallur dhe jep kushtrimin e kahershëm:

-Së bashku miqtë e mi, për të mos e nëpërkëmbur punën e jashtëzakonshme të kryer, e për të mos i çuar dëm sukseset e kryera. Unë e lashë jetën për këtë punë dhe më kujtoni në mes punëve që do të kryeni!

Dhe pas një viti, fjalimin tim në ditën e zezë të largimit tënd nga jeta Shpëtim, më duhet ti bashkëngjis një material po kështu të dhimbshëm, për atë që e ka kapur dhe i zënë frymën shoqatës tonë të nderuar “Durrësi”, për një uzurpim dhe pabesi të padëgjuar. Me shoqatën tonë “Durrësi”, këtë rezervuar të fuqishëm kulturor dhe qytetar, që mbante gjithnjë në freski intelektin dhe mënçurinë e durrsakëve, po luhet rrezikshëm deri në ç’përfytyrim.

Krejt rastësisht, nxitur nga disa grupime, del në skenë një njeri tejet i padëgjuar, i paaktivizuar më parë, i pa lakuar qoftë edhe në veprimtaritë më të thjeshta të shoqatës “Durrësi”, i pazgjedhur dhe duke u treguar ndaj tij as preferenca më modeste për ti dhënë një plus, me një emër totalisht të panjohur. Ky quhet Abdulla Deliallisi. Shpëtim Metani, ky është zëvënduesi yt! Kështu e mendoi ky grupim, që mbase mund të ketë qenë i paraorganizuar, për ta goditur në mish dhe pabesisht qyetarinë durrsake, të ndjerë aq mirë dhe komod në shoqatën e ngrohtë dhe të preferuar “Durrësi”.

E di që edhe në varr do të lëvizësh. Që është bërë një gafë e madhe, që është bërë një gabim fatal është e tepërt ta zbërthejmë, pasi 12 muajt, apo 366 ditët, apo 8784 orët që kanë ikur, e kanë vërtetuar maksimalisht këtë gjë.

Thuaja këtë gjë, tërë kryesisë që është në parajsë me ty dhe jam i sigurtë se edhe ata do të lëvizin nga varret e tyre, për këtë mënxyrë, për këtë hedhjeqafe në mënyrë që ngjan me pusinë dhe planet e errta të natës, duke ia zënë frymën shoqatës tonë, që vitet e jetës tonë kanë brenda 30 vitet e biografisë së pastër të kuvendit tonë të “Durrësit”. Thuaja doktor Ali Sulës, eruditit Koçi Moisiu, të mirit Salvator Sotiri, përkushtuesit Ilia Toçi, kolosëve të arsimit dhe kulturës Dhimitraq Gogës dhe Danish Bebeziqit, Osman Kalasë dhe shumë të tjerëve që ndodhen aty. Shoqata ka rënë në batak. Janë braktisur interesat e durrsakëve, madje po luhet rrezikshëm me kartën e autoktonisë.

Pse është absurde emërtimi racist shoqata “Durrësi autokton”?

E gjithë rrjedhja e së keqes nis, që në arbitraritetin e zgjedhjes të së ashtëquajturit kryetar të Shoqatës “Durrësi”. Dhe kur nis kjo e keqe e madhe që këtu, të tjerat janë të pashmangshme sepse përcjellin këtë mendësi, këtë primitivitet logjik e praktik, të të parit. Optika e shikimit të ecurisë të Abdulla Deliallisit, është e rrezikshme dhe duhet ndalur që në këtë stad. Kur krimbi godet një mollë, duhet hequr pjesa e kalbur, pasi rrezikon tërë pjesën e shëndoshë. Pse po luhet me tezën shumë të ndjeshme, të dënueshme, raciste, madje edhe mesjetare shoqata “Durrësi autokton”?

Hileja e parë është formale, pasi duke luajtur me kartën e skaduar të autoktonizmit, diferencohet dhe ulet ndjeshëm konkurenca e të tjerëve, për t’u zgjedhur në postin e kryetarit dhe të organizmave të tjera të shoqatës. Vendoset një lloj kufiri, kjo thjesht psikologjike pasi në realitet nuk ekziston.

Kryetari i një shoqatë, aq më shumë kjo me tradita të shkëlqyera e “Durrësit”, lipset të jetë energjik, komunikues, i urtë dhe mentar, gjithëpërfshirës, t’i përshtatet çdo shtrese dhe çdo moshe, të jetë manaxhues i dorës së parë, për t’u lidhur me bizneset dhe qarqet zyrtare të kategorive të ndryshme, mundësisht të jetë relativisht në moshë të pjekur, që të ketë edhe mundësi fizike të mjaftueshme. Dhe për fatin e keq të tij, por në të mirë të qytetarisë durrsake, i zgjedhuri me tre veta dhe duke përjashtuar tre të tjerë, kryetari i (pa)zgjedhur Abdulla Deliallisi këto cilësi nuk i ka.

Ky Abdulla, apo thjesht Dulla (nuk dua të bëj paralelizëm këtu), nuk i njeh paraardhësit, i fyen ato me mendësitë e tij, gjykon dhe mendon se gjithçka fillon me uljen e tij në “fronin” e kryetarit dhe i vërvit çelësat në drejtimin që kërkon ai. Një pyetje të thjeshtë Dulla nuk ia bëre vetes: këtë emërtimin dinak dhe delikat që prish dynjanë, elita mentare që drejtoi për dekada shoqatën “Durrësi”, pse nuk e kishte vënë?

Mënçuria dhe statura e tyre, as që nuk mund të krahasohet me tënden, ku sivija e jote mbetet shumë e varfër para tyre, aq më shumë në këtë moshë për t’u ngjitur në sfera të tilla shoqërore. Nuk e vendosën se është një teze përçarëse, që të kujton tezën e Hitlerit të epërsisë së racës ariane dhe pastrimit të dynjasë pas kësaj. Dhe të gjithë e dimë, se si ishte fundi i këtij racisti dhe sadisti.

Ti dhe ndoshta edhe ato pak njerëz që të ndjekin, duhet të jenë të qetë dhe fort të bindur se kjo tezë e autoktonizmit të pastër, nuk ka shanse të ngjisë dhe aq më pak të përhapet. Duhet ta kthesh shoqatën “Durrësi” në gjëndje civile, që t’i ndash qytetarët durrsakë në të ardhur, në të ikur dhe në të mbetur. Jo Dulle, ky nuk është qëllimi dhe objektivi i Shoqatës “Durrësi”, prandaj dëmton dhe rrezikon sa kohë që e ke uzurpuar atë vend të shenjtë të kryetarit, vënd për të cilën dha edhe jetën Shpëtimi ynë, Shpëtim Metani i paharruar.

Unë, por ma do mëndja s’jam i vetëm, marr guximin i pari ta bëj publike rrezikun e kësaj teze shumë delikate dhe me qëllime përçarëse dhe përjashtuese ndërmjet shqiptarësh dhe durrsakësh të vjetër dhe të ri.

Kur ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Durrësit Bashkim Kopliku, nuk ia miratoi shoqatës “Durrësi” aprovimin dhe bashkëpunimin sa kohë duhej për t’u njohur me programin dhe platformën e punës së saj. Këtë gjë duhet të bëjë edhe tani Bashkia e Durrësit dhe të ketë kujdes me komunikimin me një kryetar, që u zgjodh në mënyrë tinzare dhe jo në kohën dhe vëndin e duhur.

U gënjyen njerëzit, pasi u la që të mblidhet një asamble, me mentarë dhe njerëz me popullaritet në Durrës, të vendoseshin disa alternativa dhe të zgjidhej kryetari i ri, gjë që nuk ndodhi. Dhe karta e kalbur që në lindje e autoktonizmit, është shprehje e kësaj pabesie duke stisur një kryetar të pa aftë, që s’ja ka thënë kurrë këtyre punëve, që as të bind qoftë edhe një përqind, për t’i shkuar kostumi aq delikat i drejtuesit të shoqatës.

Si mund t’i quajmë armenët e Durrësit, durrsakë apo të huaj, vendas apo të ardhur? Po ulqinakët që krijuan detarinë durrsake, në të ardhur apo vendas? Po tivarasit që hodhën themelet e tregtisë në Durrës? Po ato biznesmenë të aftë e të zot nga zona të ndryshme të Shqipërisë që jetojnë dhe banojnë në Durrës në dekadat e fundit, t’ua heqim titujt “Nderi i Qytetit të Durrësit” pasi nuk janë autoktonë, paçka se kanë hapur qindra vënde pune për të zbutur varfërinë e këtij populli?

Po mirë këta autoktonët tonë qesharakë, si mund ta interpretojnë faktin që mjaft nga fëmijët e tyre kanë emigruar, banojnë dhe punojnë jashtë vëndit, kanë lindur fëmijë me nënshtetësi të huaj, mbeten autoktonë, kundrejt veriorëve apo jugorëve shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në ekonominë e Durrësit dhe këta të fundit do të vuajnë epitetin e të ardhurve?!

Por kur të ikin nga kjo botë autoktonët e Abdulla Deliallisit së bashku me të, fëmijët e tyre mjaft të njomë do të trashëgojnë fronin, sikur të ishte shoqata “Durrësi” monarki apo principatë? Po si nuk ia ul kokën turpi, kur në shekullin 21, Shqipëria kërkon Europën e Bashkuar të integrohet, kur shqiptarët gëzojnë të gjitha të drejtat deri në marrjen e nënshtetësisë në vendet e huaja ku jetojnë, të zgjedhin dhe të zgjidhen dhe ju për shqiptarët e Durrësit, vendosni kufirin ndarës të autoktonisë?!

Mbase Lekë Dukagjini edhe në varr mund të ndjehet i gëzuar për Kanunin e famshëm quajtur Kanuni i Lekë Dukagjinit, hartuar që në shekullin e 14-të. Por ti Abdulla Deliallisi, kërkon të shpikës Kanunin e Abdulla Dukagjinit, në shekullin e bashkimit dhe të heqjes të çdo kufizimi ndërmjet popujsh dhe shtetesh, duke tundur kartën diskretituese dhe diskriminuese të autoktonizmit. Po cili të vjen pas ty, njeri i mendësive të mbrapshta dhe shumë, shumë të rrezikshme?!

Asnjë orë, nuk i ke patur parasysh detyrat e një anëtari të thjeshtë të shoqatës “Durrësi”, e jo më të kryetarit të saj, pasi mëndja e jotë punon keq dhe për keq. Ti tund kartën e zverdhur të autoktonizmit për intersat e tua dhe jo për Durrësin dhe durrsakët, që po i bën një dëm të pallogaritur në moral dhe në shpirt sidomos. Durrsakët janë çquar për paqe dhe mikpritje, për urtësi dhe mënçuri, sidomos me jabanxhinjtë. Jo më kot mentarët tanë vendosën, që në mars të bënin Festën e Pranverës dhe ta quanin Mikpritja durrsake.

Ti Deliallisi që u dogje dhe u përvëlove për autoktonizmin durrsak, që në tavolinë pa qenë kërkushi, tenton të bëhesh dikushi, duke lënë përshtypje që s’ia vlen ta komentosh tek durrsakët vërtet autoktonë të tillë si doktor Nikolla Jorgoni, eruditi Agim Shehu, intelektualia dhe gojëëmbla Polikseni Dushniku, i mrekullueshmi njeri Selami Dakoli, kuadri dhe njeriu ekselenc Koçi Koreta, përfaqësuesi i fisit të famshëm të Gogallarëve, biznesmeni i suksesshëm Igli Goga, kuadri i vjetër Edmond Bushi etj. duke zhurmuar e vendosur një lloj arrogance në zgjedhjen e kryetarit.

Njerëzit me merita dhe vërtet autokton i sposton dhe etiketon dhe veten e vendos në krye, pa asnjë meritë, pa as më të voglën ndihmesë. Qofsh ti që je, por zor se vazhdon gjatë kjo punë.

Nuk është pozicioni im si njeri i hershëm i letrave, si një mbrojtës i flaktë i qytetit tim të lindjes Durrësit, që ti bëj thirrje durrsakëve për të marrë në dorë fatet e shoqatës “Durrësi”, të nëpërkëmbura në mënyrë të turpshme nga ana e jote zoti Dullë.

Por si një njeri që e dua Durrësin dhe durrsakët dhe që i përgjërohem përditë atyre me qindra shkrime që botoj, mund t’i bëj thirrje qyetarisë durrsake, gjithnjë e denjë dhe e përsosur, të zgjedhë kryetarin e shoqatës sonë që na bashkon” Durrësi”, të aftë dhe të mënçur, me energji të reja dhe manaxhues i shkëlqyer të punëve, të ditur dhe me reputacion, i sprovuar në pratikën e përditshme të punëve, gjithpërfshirës dhe organizator i spikatur.

Në Durrës e gjen këtë kategori, qoftë ky njeri edhe nga Kukësi dhe Tropoja, nga Vlora apo Shkodra, Nga Korça apo Dibra, nga Kosova apo Saranda, nga Lezha apo Pogradeci. Mjaft të jetë i dashuruar me Durrësin dhe të punoj me pasion për të.

Shoqata “Durrësi”, e di fort mirë, kjo edhe nga praktika ime 20 vjeçare si moderator i të gjitha veprimtarive të saj, ka në esencë përfshirjen e njerëzve pa dallime politike, e fetare, krahinore e racore, por të jenë të gatshëm të ndihmojnë që shoqëria e civilizuar durrsake të ecë e përparojë me hapat e kohës.

Me teoritë e dënueshme, të gatuara në guzhinën e mykur të Abdulla Deliallisit dhe të ndonjë pasuesi të tij, duhet ndarë njëherë e përgjithmonë. A e di zoti Dullë, që Spitalla është emërtuar në popull “Durrësi i ri”?! Në logjikën e kritikueshme dhe aspak të zbatueshme të autoktonizmit, i bie që të krijohen shumë shoqata “Durrësi” me këtë version; Shoqata “Durrësi” e kuksianëve, shoqata “Durrësi” e vlonjatëve e kështu me rradhë. Kështu duhet të jetë?! Absolutisht jo.

Si do të ndjehej një shqiptar apo shqiptare në Amerikë, me aftësi të rralla shkencore për tu ngjitur në karrierë dhe ti thonin që jo, pasi ti nuk je autoktone?! Po të hapej në botë teoria e autoktonizmit i Abdulla Deliallisit, ndarja dhe vetëm ndarja, përjashtimi dhe vetëm përjashtimi, cila do të ishte perspektiva e saj.

Vetëm kjo mendësi të ekzistojë, do të ishte e mjaftë për ta ndaluar këtë njeri me paragjykime, që të jetë në pozicionin delikat të drejtimit të shoqatës “Durrësi”. Dera e shoqatës Durrësi është e mbyllur. Po ashtu edhe shpresat e komunitetit durrsak, për të besuar se me Abdulla Deliallisin punët do të bëjnë përpara. Një vit është shumë për të thënë se cili ishte njeriu i gabuar, që u vendos me “dhunë” duke i rrëmbyer çelësat e shoqatës të mirit Agim Shehi dhe duke e vendosur në shina të gabuara trenin e shpresës për durrsakët, shoqatën “Durrësi”.

Abdulla Deliallisi, ky emër anonim në kësi punësh, nuk e ka tagrin të mbrojë interesat e qytetarisë durrsake në asnjë instancë zyrtare dhe jo të tillë, pa u bërë zgjedhje të plota dhe të qeta.

Durrsakët nuk po takohen me njëri tjetrin, në kuadrin e veprimtarisë së shoqatës. Ai që i mblidhte Shpëtim Metani, me 28 shtator 2020 ka një vjetorin e parajsës dhe pse jo edhe të ringjalljes.

Ngrihu edhe njëherë Shpëtim dhe na shpëto nga paudhësitë dhe vështro se çfarë bëhet me atë shoqatë që ti dhe jetën! Ngrihu Shpëtim dhe vendos pasardhësin! Ngrejua kryet durrsakëve të t’u dhe drejtoi si njëherë e në një kohë!

Në këtë ditë të përvjetorit të parë të parajsës tënde, duhet të bënim një takim memorativ, për ta dedikuar ty për atë që bëre për Durrësin dhe durrsakët. Asnjë vlerësim nuk more për vete dhe të tjerëve u dhe gëzimin dhe shpërblimin e merituar. Dull Deliallisi nuk mund ta bëjë këtë, sepse nuk di dhe nuk do. Ai është zgjedhja më e gabuar dhe duhet të largohet një orë e më parë.

Një vit është shumë, për të matur punën përçarëse të tij dhe atrofizimin e plotë të veprimtarisë së shoqatës “Durrësi”. Por shpresat nuk janë shuar. Një rrymë e fuqishme dhe dashamirëse, pro interesave të komunitetit durrsak të integruar, me siguri do të dalë në skenë. E kërkon koha. E kërkojnë interesat e ardhmërisë.

Ti sot, me 28 shtator 2020 Shpëtim Metani ke ditën e ringjalljes, ndërsa Shoqata “Durrësi” varrosjen e saj. E dhimbshme, por duhet pranuar ky realitet.

Të shpresojmë për më mirë!

Durrës: e hënë, 28 shtator 2020