Një 28-vjeçare nga Peqini, me banim në Elbasan, u vu në pranga gjatë ditës së djeshme pasi akuzohet se ka mashtruar dhjetëra persona duke u marrë para në këmbim të premtimeve për punësim në administratën shtetërore.

Klodiana Kuqi, në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Shqipëri në vitin 2015, ka qenë kandidate e Partisë Socialiste për këshilltare të Bashkisë së Elbasanit. Ndaj saj ishte zhvilluar një hetim disamujor që çoi në prangosjen e Kuqit, në finalizim të një operacioni policor të koduar “Koordinatorja”.

28-vjeçarja merrte nga 500 deri në 2 mijë euro për një vend pune duke i siguruar “viktimat” e saj, se kishte njohje me zyrtarë të rëndësishëm që do i siguronin punën në shtet, në institucione si : Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare apo edhe Drejtoria e Tatim-Taksave.

Denoncuesit kanë deklaruar në polici se kanë paguar paratë dhe se pas kësaj Kuqi nuk i përgjigjej më në telefon. 28-vjeçarja dyshohet se ka mashtruar persona të shumtë nga maji i 2016-ës deri në mars të vitit 2017.

Ndalimi i saj, u bë pasi Gjykata e Elbasanit, më 14 korrik, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mashtrimi”.