Prodhimi i duhanit në qytetin e Durrësit ka pasur një traditë të hershme. Specialistët e këtij prodhimi thonë se për herë të parë duhani ka ardhur në Shqipëri nëpërmjet portit të Durrësit në shekullin XVII dhe se prodhimi i mirëfilltë industrial i tij filloi në shekullin e kaluar, pikërisht në këtë qytet.
Në formë të industrializuar ky prodhim, sipas studiuesve të historikut të Durrësit, nisi në vitin 1913 dhe u konsolidua me ngritjen e shoqërisë aksionere “STAMLES”, në vitin 1924, me kapital të përbashkët të aksionerëve nga qyteti i Durrësit dhe ai i Tiranës. Industria shqiptare e cigareve lindi në vitin 1924 me themelimin e fabrikës së cigareve në Durrës. Për t’i shërbyer kësaj fabrike në vitin 1929, u ngrit edhe centrali elektrik prej 640 Kë/orë që i shërbeu furnizimit me energji elektrike të kësaj ndërmarrjeje, por mbuloi edhe nevojat për ndriçim të qytetit të Durrësit. Duhan, letër, shkrepëse, drita, ndërtime etj, kaq shumë veprimtari tregtare dhe prodhuese në një kompani të vetme të tipit hollding. 89 vjet më parë, aksionerët e saj e quajtën kompaninë dhe fabrikën S.T.A.M.L.E.S., që nënkupton – Shoqëri Tregtare Anonime për Monopolin e Letrave e Shkrepëseve. Kjo fabrikë menjëherë mori emër dhe në Ballkan si fabrika më e madhe në rajon ndërkohë që shumë të njohura u bënë dhe produktet e saj.
Kështu cigaret “Diamant” u kthyen në kult. Në vitet 1946-47 fabrikat shqiptare të cigareve u shtetëzuan, shumica e tyre u mbyll, ndërsa ato më të mëdha si “STAMLES”, morën emër tjetër dhe u modernizuan: N.I.SH. Cigare "TELAT NOGA" u quajt STAMLES-i i dikurshëm. Telat Noga, sekretari organizativ i Partisë Komuniste në qarkun e Durrësit, u dogj në kampin gjerman të shfarosjes, Mauthausen. Për vite me radhë fabrika e cigares në Durrës ka mbajtur emrin e tij. Kjo industri u fuqizua dhe duke pasur cilësi mjaft konkurruese pati kërkesë të madhe në tregjet lindore dhe perëndimore. Ajo u fuqizua me reparte të shumta si fermentimi dhe një rrjet magazinash. Në të u punësuan mbi 1000 punonjës, pa përfshirë rrjetin e gjerë të transportit, si dhe prodhuesve të bujqësisë në fshatra të ndryshme të vendit dhe punonjësit ndërmjetës të manipulimit të tij. Gjatë regjimit komunist fabrika e Durrësit, prodhonte cigare për tregun e brendshëm dhe për eksport. Në fabrikën e Durrësit, gjatë regjimit komunist prodhoheshin paketat “Partizan” special për udhëheqjen, fakt që mbahej sekret.
Që nga viti 1957 dhe veçanërisht pas viteve 1960, Shqipëria filloi eksportimin e cigareve në të gjitha vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Hungari, Poloni, Çekosllovaki dhe Republikën Demokratike Gjermane. Gjatë viteve 1980 shumica e cigareve të prodhuara në Shqipëri u eksportua, kjo edhe për faktin se ishte burim i mirë për valutë të fortë. Cilësia e produkteve ishte jashtëzakonisht e lartë dhe të gjitha cigaret u prodhuan me duhane orientale. Gjatë viteve 1980, fabrika e cigareve Durrës filloi prodhimin e disa llojeve të reja paketash. Me liçencën e kompanisë shtetërore bullgare “Bulgartabac” u prodhuan “Arda” dhe “Stewardess” për tregun bullgar dhe një sasi e vogël shitej në Shqipëri. Po ashtu u nënshkrua një marrëveshje me Monopolin Polak të Duhanit për prodhimin e cigareve “Dukat”, me duhan polak për eksport vetëm në Poloni dhe një sasi për tregun e brendshëm shqiptar. Fabrika gjithashtu u përfshi në prodhimin e cigareve të falsifikuara të markave të njohura, për llogari të kontrabandistëve ndërkombëtarë me anën e ish-Sigurimit të Shtetit (kryesisht “Winston” dhe “Kent”). Fundi i regjimit komunist shënoi për Shqipërinë edhe krizën e prodhimit të cigareve në vend.
Pas vitit 1991, në vend u futën me tonelata cigare kontrabandë dhe marka të falsifikuara. Fabrika e Cigareve Durrës prodhoi deri në vitin 1999, më pas ajo u mbyll për shkak të prodhimit në tërësi, i cili mbeti pa u shitur. Janë bërë traktativa për ndërmarrje të përbashkëta me firma të huaja greke, italiane deri dhe me “Philip Morris-in” apo për prodhime me porosi. Vazhdimisht është kërkuar nga shteti që të mos vendosej akcizë e barabartë me cigaret e importuara, apo doganë e lartë për lëndët e para. Punëtorët kanë akuzuar për rrënim të qëllimshëm të industrisë së cigareve qeveritë dhe ish-ministrat e financave apo të ekonomisë. Kjo industri mjaft e preferuar për tregjet ndërkombëtare për shkak të cilësisë së prodhimit mund të mbijetonte mjaft mirë në kushtet e ekonomisë së tregut, por për të mungon kujdesi i shtetit. Madje, edhe pasi prodhimtaria e duhan-cigareve shkoi drejt zeros, kërkesat për të vijuan nga firma prestigjioze në SHBA, Francë dhe Spanjë. Kjo degë e rëndësishme e industrisë së lehtë dhe ushqimore tashmë është inekzistente. Aty nga viti 2007 fabrika u hap dhe mbyll disa herë. Fabrika iu rikthye ish-aksionerëve dhe ka pasur probleme mes ish-punëtorëve, shtetit dhe pronarëve aktualë. Aktualisht, godina është e braktisur dhe vetëm oborri i saj është kthyer në parkim për automjetet. Shumë qytetarë të Durrësit kanë punuar në këtë fabrikë dhe shumë prej tyre kanë nostalgji. Çfarë kujtimesh ju ngjall kjo ndërtesë, tani që ka pushuar së funksionuari?
Eny Biduli:Ne, të formacionit “Jan Kukuzeli” e mbajmë mend shumë mirë sallën e madhe të mbledhjeve, ku bënim provat. Ka qenë një fabrikë e rregullt edhe pse e vjetër ishte e mirëmbajtur.
Titika Papingji:Më kujtohet pluhuri i duhanit, të cilin dhe po të ndërroje trotuar nuk e evitoje dot. Ajo duhej transformuar në universitet, laboratorë për të rinjtë që nisin një bisnes etj. Një fabrikë cigaresh në mes të zonës turistike të Durrësit? Ok! Mua më kujtohet që punëtorëve u jepnin nga një litër qumësht, në këmbim të helmimit të shkaktuar nga pluhurat dhe më kujtohet se si të zinjtë, e ruanin për fëmijët. Stërgjyshi im, ka qenë drejtor delegat i aksionerëve, gjyshi im ka qenë ekonomist në “Stamles”. Daja i babait tim organizonte punëtorët për të kërkuar kushte më të mira pune. Pra, çdo njeri e sheh në mënyra të ndryshme. Fabrika u ka dhënë bukë shumë njerëzve dhe duke qenë se ajo nuk mund të kthehet më në gjendjen fillestare, për arsye nga më të ndryshmet, pse të mos marrë një funksion në shërbim të shoqërisë Durrsake? Megjithatë nëse ka një mbështetje minimale, një rivënie në jetë dhe një rilindje e ndërgjegjes qytetare durrsake, pse jo!
Eva Papa:Unë mbaj mend zhurmën natë e ditë, sepse e kam ballkonin përballë kësaj ndërtese. Mbaj mend edhe duhanin, që mbushte vendin sidomos ballkonin. Herë- herë bëhej sikur kishe derdhur ndonjë trastë-duhan në ballkon. Shumica e grave të pallatit tonë, gjithashtu dhe shumë burra punonin në këtë fabrikë. Fëmijët e tyre, (disa prej të cilëve jane dhe këtu në faqen e “Forumi i Durrsakëve), duhet të kenë shumë kujtime, nostalgji.
Drita Gorana:Duhet të dini që shumë nga punonjësit e kësaj ndërmarrje kanë vdekur nga kanceri i mushkërive, disa prej të cilëve i kam njohur. Kur isha në gjimnaz, bënim punën prodhuese këtu në këtë fabrikë.
Aksinja Gioia Xhoja:Kam kryer për shumë vite punën prodhuese tek kjo fabrikë dhe e shihja çdo ditë kur shkoja për të dhënë mësim në Shkollën e Muzikës "Jan Kukuzeli" (në ato vite quhej"Mujo Ulqinaku"). Gjithashtu babai im Nukolin Xhoja, ka qenë regjizori i grupit artistik të N.I.SH Cigareve-Durrës për vite me radhë. Ndjej një trishtim të madh kur shoh të lëna në gjendje të vajtueshme disa ndërtesa të tilla, në të cilat kanë punuar me vite breza të tërë.
Mira Kauri: Fabrika e cigares, ose siç e kanë quajtur “Stamles” është një pjesë e historisë moderne të Durrësit. Por fatkeqësisht ashtu si shpesh s'kemi ditur të mbrojmë vlerat e lashtësisë, ashtu po ndodh dhe me vlerat moderne. Mendova se pas marrjes nga pronarët, do të bëhej diçka, por ka mbetur e shkretë dhe të vjen keq. Unë aty kam bërë shpesh (të famshmen punë fizike) dhe me këtë rast me jepnin fshehurazi paketa cigare “DS” (Durrës Special). Ishin të mira! Ndonjëherë bëja shaka duke thënë se “DS” nënkuptonte “Dembel Stambolli”. E rëndësishme është që të ruhet dhe të mirëmbahet. Kur “Stamles” u ndërtua, Durrësi nuk ishte kaq i madh dhe për më tepër as ajo zonë nuk ishte aq e populluar sa është sot. Fabrikë cigaresh, tashmë është vend i pa përshtatshëm. Por duke biseduar pronarët midis tyre, në bashkëpunim dhe me shtetin, shumë bukur të gjithë aksionerët të mund ta kthejnë në Universitet, për të cilin ka aq nevojë qyteti ynë, qoftë dhe si aneks i ekzistuesit.
Flora Deda-Kazazi: Vetëm nga familja ime punonin tre persona, bashkë me burrin e motrës u bënë katër, mos të numëroj ata të fisit pastaj. Kemi kaluar gjithë fëmijërinë të lidhur me kujtimet nga kjo fabrikë, jemi ushqyer me të. Sikur shteti të bashkëpunonte me pronarët e kësaj fabrike, kjo e fundit do të vazhdonte punën dhe shumë punëtorë, do të ushqenin familjet e tyre.
Aida Pema Himçi: Të dyja gjyshet e mia kanë punuar në këtë fabrikë. Njëra në paketim dhe tjetra ishte në administratë. Kur isha e vogël shkoja t’i takoja atje dhe më dukej vetja si “Liza në botën e çudirave”, në mes makinerive gjigante dhe erës mbytëse të duhanit. Një pjesë e madhe e durrsakëve punonin aty. Tashmë kjo ndërtesë dergjet e padobishme për askënd. Në Itali struktura të tilla ruhen dhe shndërrohen në përdorim. Jam dakort me atë që u tha më sipër, për ta përshtatur për universitetin. Është fantastike si strukturë. Arkitektura vlerësohet më shumë dhe ne ruajmë një pjesë të historisë së qytetit tonë.
Linda Hajdhi:Nuk mund të them që kisha një lidhje të drejtpërdrejtë me këtë fabrikë, por thjesht ajo era e saj që mbushte gjithë atë lagjen atje përreth, akoma dhe sot më duket sikur më ka mbetur në hundë. Nostalgji kur kujtoj babain tim, që pinte cigare “DS”.
Aljona Koci: Nana Ksanthipi jonë, mos gabohemAida, ishte shefe personeli. Unë çdo ditë kaloja nga N.I.SH-Cigarja se shkoja tek shoqja ime. Era e duhanit më kënaqte. Gjynah që është kthyer në një gërrmallë!