PRISHTINE – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç, njëherësh ministër i Pushtetit Lokal, i cili është inkuadruar në institucionet e Republikës së Kosovës që nga viti 2007, sipas një shkrese që ia ka dërguar më 2011 Entit për Sport dhe Mjekësi të Sportit të Qeverisë së Serbisë, del se në Kosovë punon si pjesëtar i sigurimit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Po sipas të njëjtës shkresë, ai nuk mban asnjë pozitë në institucionet e Kosovës. 

Ndërkohë, në faqen zyrtare të Ministrisë të cilën e udhëheq, thuhet se Petroviç përveçse është jurist dhe themelues i Partisë Liberale, me të cilën që nga viti 2008 deri më 2011 u përfaqësua në Kuvendin e Kosovës, ai ishte edhe drejtor për integrime në Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës. Ndërkaq nga viti 2008, Petroviç kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë për Privatizim.

Ish-roja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, po sipas faqes zyrtare të MAPL-së, për kontributin e tij politik u zgjodh politikani më i mirë i vitit 2008, nga Kuvendi i OJQ-ve të Kosovës, kurse në zgjedhjet parlamentare të 2010-s, partia e tij fitoi tetë ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke ia mundësuar atij që të bëhej pjesë e pushtetit me PDK-në e kryeministrit Hashim Thaçi. 

Ky i fundit e emëroi zëvendës, ndërsa për angazhimin e tij Petroviç në vitin e kaluar u shpërblye me titullin “Ambasador i Paqes 2012” nga Federata Universale e Paqes. 

Mirëpo këto të dhëna nuk figurojnë në letrën të cilin Petroviç ia ka dërguar Entit për Sport dhe Mjekësinë e Sportit të Qeverisë së Serbisë. 

Sipas shkresës të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, Petroviç deklaron se nuk mban asnjë post në institucionet kosovare, madje ai nuk jeton as në Kosovë.