Policia e Librazhdit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale dhe ka arrestuar një 53-vjeçar, i cili kanosi bashkëfshatarin e tij me një mjet prerës (thikë).

Ngjarja ndodhi pas një konflikti që kishte shpërthyer mes të dyve, ku 53-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, kishte tentuar të drejtonte automjetin. Ndërkohë, bashkëfshatari i tij, 46-vjeçari Y. B., ndërhyri për të parandaluar drejtimin e makinës, pas së cilës 53-vjeçari e kanosi me thikë.

Policia reagoi menjëherë pasi mori njoftimin për kanosjen dhe u angazhua për të parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Shërbimet e Policisë, pas një operacioni të shpejtë, arritën të kapin dhe arrestojnë në flagrancë shtetasin M. A., 53 vjeç, teksa ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit të automjetit, u sekuestruan dy mjete prerëse, përfshirë thikën e përdorur për kanosje.

    Shtetasi M. A. u arrestua dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.