Një person është marrë peng gjatë natës në Velipojë. Raportohet se pengmarrja ka ndodhur për një borxh të pashlyer prej 4 mijë eurosh. Siç raporton "BalkanWeb", gjatë mesnatës policia u njoftua për rastin në fjalë ndërsa rrethoi edhe banesën e personit që mendohet si autori i kësaj vepre, por ai nuk ndodhej aty. Po ashtu, bëhet e ditur se forcat e rendit ngritën gjatë natës edhe një postbllok në aksin Shkodër-Velipojë për të bërë të mundur arrestimin e autorit, operacion që vijon edhe gjatë ditës së sotme.

Sakaq, "TV Klan" shkruan se mjeti ku ishte futur pengu nuk iu bind postbllokut të policisë. Mes të tjerash thuhet se autoritetet kanë mundur të identifikojnë si pengmarrësin, i cili është nga Velipoja, edhe viktimën e kësaj ngjarjeje, një qytetar nga Shkodra. Identiteti i tyre momentalisht nuk bëhet i ditur. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se mes këtyre dy personave ka pasur një marrëveshje për kthimin e borxhit mbrëmjen e së hënës. Palët janë takuar, por situata shumë shpejt është përshkallëzuar pasi viktima nuk i ka kthyer borxhin.

Në këtë moment, personi që dyshohet si autor i kësaj pengmarrjeje ka nxjerrë armën dhe nën kërcënimin e saj e ka detyruar viktimën të futet në bagazhin e makinës. Policia e Shkodrës është vënë në ndjekje të mjetit dhe po punon për lokalizimin dhe më pas lirimin e personit të marrë peng. Burime për "TV Klan" thonë se identifikimi i autorit të kësaj ngjarjeje u bë përmes targave të mjetit. Mësohet se policia ka tentuar përmes familjarëve të autorit që të kontaktojë me të, për të negociuar lirimin e pengut, por deri më tani tentativat kanë qenë pa sukses.