Teuta ka vendosur përfundimisht për stadiumin ku do të luajë kundër Vllaznisë, teksa që prej ndeshjeve në Kupat e Europës në muajin korrik nuk i zhvillon dot takimet si pritës në “Niko Dovana” për shkak të ndryshimit të tapetit.

Në këto kushte, Teuta-Vllaznia do të luhet të premten në orën 16:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Klubi durrsak preferon Elbasanin edhe për shkak të cilësisë së fushës, për më tepër që ka qenë edhe kërkesë e stafit teknik, sepse në këtë stadium, Teuta ka humbur vetëm një herë deri më tani.

Ndërkohë, sa i përket punimeve në “Niko Dovana”, gjasat janë që fusha të jetë gati vetëm në muajin janar 2022, pikërisht për pjesën e dytë të sezonit.