Një burrë që ishte kthyer së fundmi në Pakistan me familjen e tij nga SHBA-ja, ka rrëfyer se ka qëlluar dhe vrarë vajzën e tij adoleshente, sepse e ka indinjuar përmbajtja e postimeve të saj në TikTok.
15-vjeçarja, e lindur në Amerikë, u vra në një rrugë në qytetin e Quetta të martën. I dyshuari, Anwar ul Haq, fillimisht pretendoi se ajo u qëllua nga persona të panjohur dhe të armatosur, por më vonë pranoi krimin, tha një oficer policie.
“Deri më tani hetimet tona tregojnë se familja nuk ishte dakord me veshjet, mënyrën e jetesës dhe kontaktet e viktimës në faqet e rrjeteve sociale” , tha një tjetër oficer policie. “Ne kemi celularin e saj. Është i mbyllur. Po hetojmë të gjitha mundësitë, madje edhe krimin e nderit”, shtoi ai.
Familja jetoi në SHBA për 25 vjet dhe së fundi u kthye në provincën Balochistan të Pakistanit. Babai tha se vajza e tij kishte filluar të krijonte përmbajtje “të papërshtatshme” në TikTok kur ata jetonin në SHBA dhe ajo vazhdoi të ngarkonte video pasi u kthyen në Pakistan. Kunati i Anwar ul Haq u arrestua gjithashtu me akuzën e bashkëpunimit.