Cristiano Ronaldo u raportua se kishte kërcënuar se do të largohej nga skuadra pasi trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, e la në stol për pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj Zvicrës.

Ylli portugez iu është adresuar indirekt lajmeve duke publikuar një foto të ekipit të tij të kombëtares dhe dha mesazhin se do të jetë deri në ditën e fundit krah skuadrës.

“Një grup shumë i bashkuar për t’u thyer nga forcat e jashtme. Një komb shumë i guximshëm për t’u frikësuar nga çdo kundërshtar. Një ekip në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do të luftojë për ëndrrën deri në fund! Besoni tek ne! Forca, Portugali”, shkruan Ronaldo.

Media portugeze Record raportoi se Ronaldo i tha trajnerit të tij se mund të largohej nga Katari pasi zbuloi se do të qëndronte në stol për ndeshjen kundër Zvicrës, të cilën Portugalia e fitoi 6-1, përpara se të qetësohej dhe të kuptonte se largimi i tij mund të ndikojë negativisht tek ekipi.

Edhe Federata e Futbollit të Portugalisë e hodhi poshtë këtë lajm në një deklaratë të lëshuar të enjten, ku mbrojti “trashëgiminë dhe përkushtimin e Ronaldos për ekipin”.

Në një deklaratë të Federatës Kombëtare të Futbollit thuhet: “Lajmet u publikuan këtë të enjte ku shkruhej se Cristiano Ronaldo kërcënoi të largohej nga kombëtarja gjatë një bisede me Fernando Santos, trajnerin e kombëtares. FPF sqaron se në asnjë moment kapiteni i kombëtares, Cristiano Ronaldo nuk ka kërcënuar se do të largohet nga kombëtarja.

Ronaldo vendos çdo ditë një rekord unik në shërbim të kombëtares dhe vendit, i cili duhet respektuar dhe që dëshmon shkallën e padiskutueshme të përkushtimit ndaj kombëtares.

Ekipi kombëtar, lojtarët, trajnerët dhe struktura e FPF – është, siç ka qenë që nga dita e parë, plotësisht e përkushtuar dhe entuziaste në ndërtimin e asaj që vendi dëshiron të jetë pjesëmarrja më e mirë e Portugalisë në një Kupë Bote”.