Ina Majko është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi më 11 maj nuk arriti të siguroj një vend në Kuvend si deputete. Kandidatja e Partisë Socialiste për deputete në qarkun e Vlorës, u emërua në detyrën e re me vendim të  Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë nga kjo detyrë është shkarkuar nga detyra Niko Hyka, i cili mbante postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjatë takimeve të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama pati deklaruar emrin e Majkos si ministren e parë të qeverisë së ardhshme nëse fiton zgjedhjet e 11 majit.

“Unë jam shumë krenar që për herë të parë Partia Socialiste bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom. Një vajzë nga Delvina, e cila përfaqëson vajzat e margjinalizuara, por që jo vetëm mund të jetë një zë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë por që edhe nëse nuk do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhshëm”, tha Rama gjatë një takimi me vajzat dhe gratë në Korçë në fushatë.

TIRANA- 

V E N D I M 
PËR
LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Niko Hyka, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

V E N D I M 
PËR
EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Ina Majko emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU