* Nga data 1-24 korrik 2018, ankorohen 81 jahte turistike në portin më të madh të vendit!
Numri i jahteve turistike që ankorohen në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë vitit 2018 pritet të dyfishohet, krahasuar me vitin e kaluar.
Që nga fillimi i muajit korrik të këtij viti, në kalatat 1, 2, 4 dhe 5 janë ankoruar 81 jahte të përmasave të ndryshme, një shifër 72 për qind më e lartë se sa i gjithë muaji korrik i vitit 2017.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se në Durrës që nga viti 2017 është ankoruar një numër i madh jahtesh me gjatësi nga 30-100 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës. Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë.
Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave në APD, mësohet gjithashtu se që nga fillimi i muajit janar 2018 në Durrës kanë mbërritur 214 jahte, ndërsa shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.
APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit. Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat 1-5 të Terminalit perëndimor shkon deri në një javë.