Më shumë se 10,000 emigrantë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe që prej fillimit të vitit, duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla – një rekord i ri që shënon përshkallëzimin e fenomenit të emigracionit të parregullt drejt ishullit.

Vetëm të hënën u regjistruan 473 mbërritje në 8 anije të ndryshme, duke e çuar totalin e këtij viti në 10,335. Është hera e parë që nga viti 2018, kur filluan këto kalime, që kjo shifër tejkalohet kaq herët në vit. Për krahasim, në vitin 2024 ky numër u arrit më 24 maj, ndërsa në vitin 2023 më 17 qershor.

Përballë këtyre zhvillimeve, Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper deklaroi për Times Radio se rrjetet e kontrabandistëve kanë përfituar nga kushtet e favorshme të motit. Ajo mbrojti masat e ndërmarra nga qeveria laburiste për të ndalur fluksin, edhe pse pranoi se sfida mbetet e madhe.

Në përpjekje për të forcuar ligjin, Cooper bëri të ditur se do të shtohet një amendament në projektligjin e ri për imigracionin, i cili do të ndalojë abuzuesit seksualë të kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, ajo nuk dha detaje për numrin e personave që mund të preken nga ky ndryshim.

Ndërkohë, bashkëpunimi me autoritetet franceze pritet të intensifikohet. Qeveria britanike ka bindur Francën të ndryshojë rregullat për ndërhyrjen e policisë në ujërat territoriale. Aktualisht, forcat franceze lejohen të ndërhyjnë vetëm në det të hapur për të ofruar ndihmë, por ndryshimi i doktrinës do t’u mundësojë të ndalojnë anijet deri në 300 metra nga bregdeti.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, po shqyrtohet zyrtarisht mundësia për ta bërë këtë ndryshim të menjëhershëm, me synim ndalimin në burim të kalimeve të rrezikshme drejt Britanisë.