Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka folur sot për situatën në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se kohët e fundit disa faktorë të jashtëm janë duke vepruar me qëllim të rrezikimit të progresit që është arritur në rajon, sidomos në Bosnje e Kosovë, shkruan N1.

Këto deklarata Stoltenberg i ka bërë në një konferencë për media pas takimit me shefin e diplomacisë lituaneze, duke shtuar se shtetet anëtare janë pajtuar për rëndësinë e pranisë në Ballkanin Perëndimor.

“Në sesionin final, neve na u bashkuan edhe partnerët nga Finlanda, Suedia, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell. Kemi diskutuar për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Stolenberg.

Ai ka thënë se kohëve të fundit janë rritur tensionet, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

“Me shumë retorikë agresive, reforma të stopuara, dhe me faktor të jashtëm që po punojnë në rrezikimin e progresit”, ka potencuar Stoltenberg.

Ai tha se NATO do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon dhe se vendet anëtare “ranë dakord për rëndësinë”  për praninë e Aleancës.

“Përfshi edhe misionin tonë të KFOR-it në Kosovë. Dhe zyrat tona në Sarajevë dhe në Beograd”, ka shtuar tutje Stoltenberg, duke theksuar se bashkëpunimi i NATO-s me Bashkimin Evropian mbetet “thelbësor”.