Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala dhe kryebashkiakja Emiriana Sako, çeli sot nga Durrësi sezonin veror shëndetësor.

Rama gjatë fjalës së tij dha lajmin se këtë sezon veror ngrihen dhe do jenë funksionale 36 qendra shëndetësore verore si dhe 301 mjekë dhe infermierë në shërbim të pushuesve dhe turistëve në Shqipëri.

“Do të jenë 36 qendra verore shëndetësore që është një eksperiencë tashmë e konsoliduar, e iniciuar vite më parë, me numër më të vogël por edhe me rezultat kuptimplotë. Do të jenë 301 mjekë dhe infermierë të sapoemëruar do të shërbejnë në 36 qendra shëndetësore verore, për t’u dhënë ndihmën atyre që kanë nevojë për ata që duan ndihmë të parë. Numri i qendrave është rritur, numri i mjekëve dhe infermierëve gjithashtu është rritur”, tha kreu i qeverisë mes të tjerash.

Rama nënvizoi se fytyra e shtetit shihet te uniforma e policit dhe e mjekëve, sepse turistët e huaj presin shërbimin dhe ndihmën e tyre, pasi janë të parët që kontaktojnë në raste ndihme.

“Këtë vit ne presim që numri i turistëve të konsolidohet dhe të jetë në nivelin e vitit të shkuar ose në momente të caktuara edhe të rritet. Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën dhe ta rrisim misionin, që nuk është vetëm i përditshëm kudo ku kontribuoni, por është edhe mision ekstra, i Shqipërisë që ata të huaj takojnë ku ju takojnë juve. Sepse ju jeni ambasadorët e vendit në këtë kuptim, ju jeni shëmbëlltyra e shtetit. Shteti shihet te uniformat e Policisë së Shtetit, shteti shihet te uniformat e mjekëve sepse ata kontaktojnë me turistët e huaj dhe përfaqësojnë vendin”, theksoi kryeministri para trupës së mjekëve dhe infermierëve.