Eh, sa shumë i duan ata… fëmijët e shumëpërfolur të zyshave. Kë më pak e kë më shumë, kjo s’ka rëndësi, e rëndësishme është që mësuesit e tjerë, me ose pa dashje bëjnë një diferencim për fëmijët e kolegëve nga nxënësit e klasës. Të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë të dëgjojmë një histori të tillë, kur fëmija i një mësuesi është favorizuar në situata të ndryshme për shkak të pozicionit që gëzon babi ose mami. Veç rezultateve më të larta në mësime, pra favorizimeve në notë, ata gëzojnë edhe një sërë privilegjesh të tjera të tilla si: justifikimi për mospërgatitje atyre u pranohet më lehtë, pasi fjalës së tyre u shtohet edhe justifikimi i prindit, pra kolegut që një orë më parë i ka thënë mësuesit të lëndës në kafenenë përballë shkollës “mos e pyet tim bir sot se ka qenë sëmurë…”, por jo vetëm kaq, ata dallohen nga të tjerët edhe në momentin që u duhet të marrin një leje nga drejtoria për t’u larguar nga ora e mësimit, e cila për ta, natyrisht që sigurohet më me lehtësi… situatat favorizuese janë të shumta në numër, ndaj për më tepër ju ofrojmë të lexoni shkrimin në vijim. 

Radha e nipërve dhe mbesave

Padyshim që edhe ata nuk mund të përjashtohen, pasi në këtë mënyrë s’do të gjente zbatim as ligji i kompensimit. Sikundër fëmijët e mësuesve janë të favorizuar për shkak të pozicionit të prindërve, ka edhe nga ata që favorizohen për shkak të pozicionit të tezes, hallës apo dajës. Sigurisht që në këmbim të një note më të mirë që mund t’i vërë një mësuese djalit të një kolegu, ky koleg duhet që për t’i kthyer nderin, të bëjë të njëjtën gjë edhe për nipin apo mbesën e mësueses. 

Prezantimi

Menjëherë pas emërimit të një mësuesi të ri në shkollë, ndodh edhe prezantimi i tij me stafin pedagogjik të shkollës në të cilën do të japë mësim. Por, si mund të ndodhë që ky mësues i ri të njihet me kolegët dhe të mos njohë fëmijët e kolegëve? Për këtë arsye mësuesit që i kanë fëmijët në shkollë, marrin masa “reformuese” dhe me të përfunduar mbledhja, shkojnë me mësuesin e ri tek klasa e fëmijës me justifikimin e rëndomtë “duhet të marrë pak çelësin”, me ta çuar tek klasa e të birit gjithçka ndryshon; tani fillon prezantimi: “Ja, kjo është mësuesja më e re e lëndës së… jam e bindur që keni për t’ia kaluar shumë mirë, pasi mësuesja ka një kohë të gjatë në arsim… etj.” dhe tërë ky dialog përfundon me fjalën e mësueses së re, e cila thotë: “Mua të më mësosh, se unë nuk bëj tolerime…” 

Shkaku i mërive mes mësuesve

Pikërisht fraza e sipërpërmendur shkakton ndonjëherë edhe mëri mes kolegëve. Pasi ka edhe nga ata mësues që janë shumë rigorozë në procesin mësimor, kjo ndoshta edhe për shkak të vjetërsisë së punës. Këta “veteranët e arsimit” nuk i njohin tolerimet, për ta të gjithë nxënësit në klasë janë të barabartë dhe si pasojë e kësaj mendësie, çdo nxënës do të marrë notën që meriton. 

Ndonjëherë, edhe problematikë…

Duke pasur krahët e ngrohta për shkak të pozicionit të prindë-rve, këta nxënës ndonjëherë edhe abuzojnë, duke u kthyer kështu në një shqetësim për mësuesit e tjerë. Janë pikërisht këta nxënës që bëjnë rolin e zhurmuesit të tmerrshëm gjatë orëve mësimore dhe sjellin prishjen e orës së mësimit për shkak të kapriçove të tyre prej adoleshentësh. 

Celulari

Sigurisht që ata janë më të lirë edhe në përdorimin e celularit gjatë orës së mësimit, pasi duke qenë se kanë shumë halle dhe meqenëse prindërit i kanë shumë larg me punë, detyrohen që celularin ta mbajnë hapur, për të qenë në dijeni të çdo problemi familjar që kanë… 

Privilegjet

(Provimet, le ta shikojë edhe një herë në shtëpi) Sikundër na ka ndodhur të dëgjojmë për fëmijët e favorizuar të mësuesve, na ka zënë veshi të dëgjojmë edhe për provimet “e shkëlqyera” të tyre. Provimet aq të vështira të lëndës, që fusin në stres me qindra e mijëra nxënës të kryeqytetit, nuk përbëjnë ndonjë problem për fëmijët e mësuesve. Pasi në mos nuk do t’i marrin pyetjet para provimit, është më se e sigurt që pas tij do ta marrin një herë tezën ta shikojnë në shtëpi, për të plotësuar pyetjet që nuk mundën t’i plotësonin në orën që e zhvilluan të gjithë nxënësit testimin. 

Kur hyjnë mik edhe punonjëset e higjienës…!

Fakti që ato nuk kanë një pozicion shumë të favorshëm në stafin e shkollës nuk përbën ndonjë problem. Pasi mjafton një kafe turke tek dhoma e tyre, një e parë filxhani, disa halle të qara dhe ja tek ia hodhi dhe fëmija i punonjëseve të palodhura të higjienës.