Kryeministri Edi Rama është kapur sërish me influenceret dhe blogeret, të cilët prej ditësh mbështesin protestat masive për largimin e tij nga qeveria. Gjatë fjalës së tij në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Kryeministri u shpreh se janë pikërisht influencerat që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj, që vijnë dhe punojnë në Shqipëri. Rama tha se këta persona nuk kanë nevojë për punë, por sipas tij punojnë në Instagram dhe japin intervista sesi jeta e tyre kushton 20 mijë euro në muaj.
“Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë me e ulët se në Kroaci, nuk ka! Cili është problemi? Problemi është që ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet si skllevër, ata nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe Kroaci. Ose nuk janë në nevojë për një punë, përkundrazi punojnë në Instagram dhe japin intervista sesi jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj. Çështja është shumë e thjeshtë.
Sa me lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do jenë pagat, sa më e ulët të jetë cilësia sistemit të turizmit, aq më të ulëta do jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem aq më të larta do jenë të ardhurat. Zvicra që është një vend turistik gjithashtu është një vend shumë i shtrenjtë, por ka paga shumë të larta. Ka paga shumë të larta sepse ka mundësinë që të jetë e shtrenjtë sepse ka cilësi shumë të lartë”, tha Rama ndër të tjera.





