TIRANE – Virtuozi i violinës ekzekuton versionin rrok të himnit të BE-së, i realizuar në Tiranë nga delegacioni i Bashkimit Evropian me rastin e marrjes së çmimit Nobel për Paqen. Çesari ka ofruar falas interpretimin e tij sepse e konsideron “një dhuratë të vogël për BE-në, në shenjë mirënjohjeje, përballë asaj që Komuniteti Evropian po bën për Shqipërinë, si dhe një dhuratë për çmimin Nobel”
Olen Çesari, virtuozi i violinës shfaqet në klipin “EU”, që është realizuar këto ditë nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë me rastin e marrjes së çmimit “Nobel” për Paqen.
Ai rrëfen për Panoramën se si, me kërkesë të ambasadorit Sequi, u bë pjesë e versionit rrok të himnit të Bashkimit Europian, një këngë e interpretuar nga Elton Deda, Eugent Bushpepa dhe Kamela Islamaj. Dhe e ka bërë falas, sepse siç thotë vetë, ishte “një dhuratë e vogël për BE-në, në shenjë mirënjohjeje, përballë asaj që Komuniteti Evropian po bën për Shqipërinë, si dhe një dhuratë për çmimin Nobel”
Oleni, që me violinën e tij sjell tinguj nga e gjithë bota, të përfshira edhe në albumin e tij të parë “Unexpected”, jeton prej vitesh në Romë. Verën e kaluar, gjatë organizimit të turneut “BE & Olen Cesari – International clandestine orchestra”, në qytetet më të mëdha të Shqipërisë u njoh me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Ettore Sequin. Ky i fundit e quajti këtë turneun e violinistit “një rast të përkryer jo vetëm për të shijuar muzikë të mirë, por edhe harmoni e gëzim”, ndërsa vetë Olenin, “gjeni që me talentin e tij i ka kapërcyer të gjithë kufijtë dhe është kthyer në një europian të vërtetë”.
Shfaqeni në klipin “EU” bashkë me një grup artistësh që sjellin himnin e BE-së në versionin rrok. Si u bëtë pjesë e këtij projekti?
Në fakt, klipi “EU” ishte një projekt i shpejtë që erdhi në sajë të kërkesës, që na bëri ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Ishte një ide e beftë, pra e menjëhershme, për këngën që u realizua brenda një jave në audio dhe video. Zakonisht projektet e shpejta dalin më të bukura, ashtu si ky klip që më pëlqen mjaft, tashmë i përfunduar. Ndërhyrja e fëmijëve, sipas mendimit tim ishte një gjetje e goditur, sepse ata janë e ardhmja e kombit tonë dhe Europës.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ia dedikon këtë version rrok të himnit të BE-së, marrjes së çmimit Nobel për Paqe. Cili është mesazhi që jepni ju?
Mesazhi që jep kjo këngë, dhe natyrisht tingujt e violinës sime, janë një mesazh paqeje dhe harmonie për shqiptarët kudo që ata ndodhen dhe kudo që ata do kenë mundësinë ta ndjekin këtë videoklip.
Ideatori i klipit, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Sequi, shfaqet dhe vetë në video. Keni kohë që njiheni?
Me ambasadorin Sequi jam njohur verën e kaluar në kuadrin e një turi të përbashkët “BE & Olen Cesari – International clandestine orchestra”. Personaliteti dhe prirja e tij për të ndihmuar me gjithë zemër këtë komb, bëri që të lindte një miqësi e pastër dhe reciproke. Miqësia jonë vazhdoi edhe pas këtij bashkëpunimi.
Edhe pse e keni ndërtuar jetën dhe karrierën jashtë vendit, ju shkon ndonjëherë në mendje për një rikthim këtu?
Nuk besoj. Megjithatë, kurrë nuk i dihet. Unë jetoj qetësisht në Romë. Kam ardhur në Shqipëri me ftesa që BE dhe institucione të tjera më kanë bërë për veprimtari dhe projekte artistike. Unë tashmë kam kalendarin e koncerteve të mia dhe karriera ime do të vazhdojë si më parë.
Si do të kaloni festat? E Vitin e ri me çfarë do ta nisni?
Për festat e fundvitit kam dy ftesa, një në Londër dhe një në Lugano, që më duhet të zgjedh. Ndërsa për vitin 2013, aktiviteti më i rëndësishëm është ai i 25 janarit në Auditoriumin e Romës i titulluar “Olen and friends”. Është një aktivitet shumë i rëndësishëm, që organizohet një herë në dy-tre vjet, dhe të ardhurat i shkojnë për bamirësi shoqërisë ambientaliste “Mare Vivo”. Ëndrra ime është që një gjë të tillë të mund ta organizojmë edhe në Shqipëri, ku të gjithë e dimë që bregdeti ynë vuan. E them këtë edhe si durrsak që jam.
Marrë nga Gazeta Panorama