Nga Xha Xhai (Ardian Vehbiu)

Si rrufeja në të kthjellët – ose më mirë në gropën septike – ia mbërriti edhe ky libër i ri i një Perëndimori për bunkerët e Shqipërisë.

Autori, një holandez i quajtur David Galjaard, ka fituar një çmim ndërkombëtar për librin e tij Concresco, kushtuar luleve prej betoni të tokës totalitare shqiptare.

Të huajt si Galjaard ka njëzet e kusur vjet që kuturisen në Shqipëri dhe shkruajnë e përshkruajnë bunkerët e atjeshëm; por çuditërisht të gjithë vijojnë ta ndiejnë veten Kolombë të këtyre Indive Perëndimore, mu në paradhomë të Europës.

Krahas gjakmarrjes, virgjineshave dhe pallateve që ka lyer me bojë Edi Rama në Tiranë.

Projekti i Galjaard-it ka bërë rrugë deri në faqet e revistës Wired, ku ma zuri syri edhe mua. Në paraqitjen e librit, Wired përmend edhe një projekt tjetër të ngjashëm, nga Alicja Dobruska, me titullin Concrete Mushrooms.

Çuditërisht, duke u hutuar pas bunkerëve, Galjaard i sjell publikut kureshtar problematika të tjera, ku e ku më interesante se këto kufoma të totalitarizmit.

Duke u kufizuar në fotot e sjella nga revista, po mjaftohem të vërej se kjo dhe kjo tjetra tradhtojnë një vijë plazhi në tërheqje e sipër, me detin që tani po ua lëpin bunkerëve buzët; ndërkohë që gjithfarë reliktesh të tjera të një epoke të shkuar, si kulla metalike dhe argjinatura, kanë përfunduar tashmë nën ujë.

Emblematike duket edhe pajisja fosforeshente e surfistit – rreptësisht hi-tech – që më në fund ia arrin të zbarkojë, desant krahë-fluturak i kotë dhe i ngeshëm, në bregun dikur më të paarritshëm dhe tani më indiferent, të kontinentit.

Tjetërkund duket sikur plazhi, përkundrazi, ka bërë përpara; vetvetiu, ose me ndihmën e tregtarëve të zellshëm të banjodiellit.

Në të dy rastet, gjysmësferat prej betoni ruajnë një vijë bregdetare që nuk ekziston më, për shkak të ndryshimeve në mjedis. Ironike ky kolaps i brendshëm i një peizazhi, të cilin bunkerët e ruajtën së jashtmi me kaq bujë dhe fanatizëm të kotë.

Galjaard-i ka shëtitur poshtë e lart Shqipërisë, si natyralisti kokëfortë në kërkim monomaniak të species që i intereson; Nabokov i vonuar, i obseduar pas lepidopterësh të ngordhur, që vjen rrotull në një hapësirë që do të kish qenë përndryshe nga më mahnitëset, për entomologun e paparagjykuar.

Te kjo foto, bunkeri duket sikur u ka bërë ballë viteve dhe shndërrimeve ku e ku më mirë se karuseli i rrjepur përbri; pa çka se fëmija, në pozë detyrimisht teatrale, duket i fiksuar, si neurokirurgu, pas trurit pa rrudha të fortifikimit.

Te kjo tjetra, një shenjë praktike, e zhgarravitur në murin po aq të betontë sa edhe bunkeri vetë, tregon rrugën për te një Bar Berlini, për të cilin kushedi kupola e bunkerit do të kish shërbyer si metaforë e rrethimit në pranverë të vitit 1945 dhe kushedi edhe e dasmës së groposur të Hitlerit vetë.

Këtu, veç protagonistit obsesiv të albumit të rrethuar nga varret, tërheq vëmendjen edhe makina e Autoshkollës Eriklida; një autoshkollë në varreza – kushedi për t’u mësuar shoferëve të ardhshëm, nëpërmjet shembullit, pasojat e pakujdesisë në timon?

Në këtë foto tjetër, që për nga ngjyrat e shpatmalit duket si e nxjerrë diku nga Prespa, syri dallon mbi bunkerët mbishkrime kushedi në sllavishte (apo është greqishte?): një ΠAO të mistershme, krahas një simboli të yin-yang-ut dhe ngjyrave bardheblu të zbehta, si në fotot turistike të ishujve grekë.

Pa dyshim më tërheqëse edhe se bunkerët, janë përpjekjet e banorëve për të bërë diçka me këto jashtëqitje të politikës dhe të paranojës: për t’i copëtuar, shpuar, suvatuar, lëmuar, mbuluar, përshtatur në hapësira të jetueshme, lyer me bojëra dhe shkronja dhe lule.

Ky realitet i reziston deri edhe përpjekjeve për teatralizim ose inskenim, si këtu; edhe pse, te kjo foto, mua më tërheq më shumë vëmendjen objekti në sfond, si lajmërues i një diçkaje tjetër, urbane dhe të zhurmshme, përtej kodrës.

Të njëjtat bojëra i sheh edhe te kjo foto; por është për të ardhur keq që bunkeri, këtu, tërheq vëmendjen nga një ndërtesë e thjeshtë, destinimi praktik i së cilës lajmërohet tre herë: nga tabela e rregullt në ballë, dhe nga dy graffiti (vëreni edhe pemën jashtëzakonisht anemike anë trotuarit, që nuk ka të ardhme në këtë mjedis të vrazhdë çimentoje, makinash dhe benzine të keqe).

Më në fund, struktura në këtë foto është më tepër tunel se bunker; i shndërruar në kafe të freskët në verë e kushedi të ngrohtë në dimër; dhe që me siguri do t’ia ketë bërë zemrën mal autorit, me dy flamujt që i valëviten në hyrje – yni kombëtar, dhe ai i Europës së Bashkuar.

Ironik është efekti i përgjithshëm i këtij projekti, të financuar edhe nga ambasada holandeze në Tiranë (por edhe me fonde të vetë autorit, që do t’ua ketë hequr kalamajve nga goja); një projekt që ka për temë bunkerin, këtë ndërtesë-fortifikim, ose të banueshme vetëm në kohë lufte; dhe përndryshe të mbetur të pandryshuar, në një peizazh në transformim gati kataklizmik. Mjaft të shohësh shtëpitë e reja, dyqanet, ngrehinat, karabinatë, grilat, karriget dhe kangjellat e mbira nga të gjitha anët; por që t’i shohësh duhet t’i shpërfillësh bunkerët për një çast, ose edhe përgjithmonë.

Një kryevepër pa dashur, do të thosha; por nuk e kam librin në dorë, që ta marr veten seriozisht. Hë për hë, le t’i shohim këto foto duke menduar se këtë herë ishte Shqipëria në shndërrim e sipër që e pa vizitorin statik, jo e kundërta.

Shih: http://xhaxhai.wordpress.com/2013/03/12/bunkeri-shet/#more-12282