Nga Mila Ballhysa

Ora 03.54 e së martës së 26 nëntorit. Një qytet i tërë shkundet për 30 sekonda, shkundje që tronditi zemrat dhe jetët e të gjithëve. Viktima, dëme kolosale, qindra familje të mbetura në qiell të hapur, qindra mijëra të tjerë të traumatizuar.

3 dhjetor 2019, një javë pas tërmetit shkatërrimtar. Një qytet që ngadalë po përpiqet t’i rikthehet normalitetit, si për të treguar se jeta vazhdon edhe pas tragjedive. Shumë prej nesh përpiqen t’i shmangen pallateve të rrethuara, rrënojave të godinave të shembura, vendeve që u lanë me gjakun e viktimave të pafajshme. Një përpjekje kjo për t’i shpëtuar imazhit apokaliptik të ditës së parë, kur i gjithë qyteti dukej sikur kishte rënë në gjunjë.

Tani, një javë më pas jemi disi më të qetë dhe më të qartë për atë çfarë kaluam, megjithëse pasojat i kemi para syve të gjithë. Edhe unë vetë, ndërsa shkruaj kam përreth muret e apartamentit tim plot të çara dhe plasaritje, por fatmirësisht godina ishte e fortë. Ekspertët e vlerësimit nuk kanë ardhur akoma, që dhe unë, ashtu si mijëra qytetarë të tjerë të jemi të qartë, nëse dëmet brenda na i dëmtoi tërmeti, apo cilësia e dobët e punimeve në mure. Nëse na i dëmtoi kjo e fundit, dikush duhet të paguajë, madje dhe të ndëshkohet. Të rrezikoj kokën për shkak të gabimeve apo makutërisë njerëzore këtë nuk ia fal askujt. Ashtu siç duhet të bëjë secili prej jush. I kemi paguar këtij shteti çdo faturë, çdo taksë. I kemi paguar ndërtuesve gjithë kursimet tona. Dikush duhet të përgjigjet e dikush duhet të ndëshkohet ashtu siç e parashikon ligji.

Ndërsa kemi paguar taksën e gjelbërimit, na zvogëluan gjithnjë e më shumë hapësirat e gjelbëruara. Ndërsa paguajmë taksën e kanalizimeve përmbytemi me shirat e parë. E ndërsa paguajmë me lekë djerse shtëpitë tona, shohim të na shemben mbi kohë prej kateve pa leje apo prej punimeve shkel e shko. Fotot më poshtë janë të kateve 4 dhe 5 të pallatit ku unë banoj. Fatmirësisht ishin të pabanuara, sepse pronarët janë jashtë. Le të vijë një ekspert dhe të më mbushë mendjen se ato mure brenda apartamentit u shkërmoqën prej tërmetit…

E teksa qyteti nisi ngadalë t’i kthehej normalitetit dy ngjarje shënuan fundjavën e kaluar; dy gafa njëra pas tjetrës të kryebashkiakes Valbona Sako dhe dorëheqja e saj dhe votimi nga këshilltarët bashkiak i nënkryetarit Zhulien Varfaj si kryebashkiak në detyrë. Largimi i kryebashkiakes në momentin më kritik që po kalonte qyteti ishte veprimi më i gabuar që mund të ndërmarrë një funksionar vendor. Nëse ishte dorëheqje me vullnet të lirë ishte vendimi më i gabuar, por fundja mirë bëri që iku nëse nuk përballonte dot presionin që të shkakton posti, së bashku me privilegjet që të ofron njëkohësisht. Nëse ishte dorëheqje e detyruar, nuk duhej të largohej aspak me ato dy rrjeshta të thatë të shkruar në rrjete sociale, por të tregonte arsyet dhe të tregonte me gisht personat që po e detyronin të ndërmerrte një akt të tillë.

E si mos të mjaftonte “e hequra dorë” e Sakos për t’u marrë me situatën kaotike në qytet, në bashki rishfaqet ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, të cilin çdo durrsak me dy pare mend në kokë e akuzon për morinë e madhe të lejeve të ndërtimet e shumëkatësheve prej betoni në qytet. Madje këto ditë të shumtë ishin dhe ata që gëzoheshin nga prania e “kryetarit” të tyre në bashki apo lokalet përreth. A thua se rishfaqja e Dakos do i ruante nga pasgoditjet…

Edhe kryeministri Rama që këto ditë është munduar të shfaqë veten si dëgjues shumë i mirë i të gjithë ankesave që i paraqesin qytetarët nuk duroi dot kur një qytetare e Durrësit tregoi me gishtin “xhuxhin” në sy të të gjithëve. Me zë të ngritur dhe arrogancën që e karakterizon e quajti qytetaren provokatore dhe i bërtiti të largohej.

Zgjedhja e Zhylien Varfajt si kryetar në detyrë është rikthim edhe njëherë në “epokën Dako” në qytet, në 12 vitet kur Durrësit iu rrëmbye çdo sipërfaqe e qytetit apo plazhit dhe betoni e lejet abuzive triumfuan në kurriz të gjelbërimit dhe hapësirave publike.

Një javë pas tërmetit është ndoshta shumë herët që përgjegjësit për gjithë këtë katrahurë të nisin të hetohen. Por nëse edhe këtë herë nuk do të bëhet drejtësi, nëse nga i pari tek i fundit që kanë përlyer duart dhe bërë katrahurë me ndërtimet nuk ndëshkohen ashtu siç e parashikon ligji, ky qytet nuk do të bëhet më kurrë.

Jo më një qytet ku nuk marrim dot frymë e ku na rrezikohet jeta. Durrësi këlthet ende nën tonelatat e betonit…