Nga Andi Bushati

Edi Rama ka marrë kosën në dorë dhe ka shpallur luftë totale kundër kultivimit të kanabisit. Ai paralajmëroi një aksion serioz policie kundër “feudeve të hashashit”, ai pohoi se shteti ka në dorë “listat emërore të trafikantëve” dhe deklaroi se ky do të jetë fundi i këtij fenomeni “që njollos vendin tonë”.

Kjo nismë të cilën e konfirmoi edhe drejtori i përgjithshëm i policisë duket se këtë herë ka tone më serioze. Ato janë parë në goditjen e disa pikave kyçe të trafikut që në ditët pas zgjedhjeve. 

Nëse kjo frymë do të vazhdojë, natyrisht që duhet përgëzuar. Ajo tregon se më në fund edhe Rama është ndërgjegjësuar për atë që ka thënë për katër vite “opozita e kapur”, “mediat e kazanit” dhe në periudhën e fundit edhe “aleatët e tepsisë”, pra të vërtetën e hidhur se Republika e Rilindjes ishte shndërruar në një parajsë trafiku. 

Dhe sot, ndërsa Rama duhet përshëndetur për ndryshimin e politikave të tij në raport me hashashin, është koha të rishihet edhe njëherë se sa e trukuar, false dhe me qëllimin e pastër për të manipuluar publikun, ka qenë propaganda qeveritare për këtë temë të nxehtë.

Fillimisht ishin Sali Berisha dhe opozita që folën për avionë droge që vinin e ngarkoheshin në Shqipëri. Në vend që të lëshonte alarmin Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, filluan të tallen dhe përdorën sarkazmën e tyre tipike për t’i thënë shqipëtarëve se doktori ishte aq rëndë, sa ngatërronte arroplanët me mushkonjat.
Por, kur piloti Xhorxho Riformato u rrëzua në bregdetin e Divjakës të gjithë e panë me foto dhe me filmime se pretendimi i ngritur ishte realitet dhe jo përralla e një të çmenduri.

Pas kësaj edhe mediat vendase u zgjuan nga gjumi dhe filluan të flasin për përmasat gargantyeske të trafikut shqiptar. Por edhe pas kësaj propaganda qeveritare kaloi në fazën e dytë, në denigrimin e gazetarëve të kazanit që flisnin pa fakte dhe nxinin realitetin. Madje për t’i shkuar deri në fund kësaj strategjie u blenë edhe disa policë ndërkombëtarë që hartonin raporte sikur Shqipëria ishte e pastër nga kanabisi.

Edhe kjo fabul propogandistike u rrëzua shpejt kur të njëjtat gjëra si reporterët lokalë filluan të pohojnë edhe mediat më prestigjoze ndërkombëtare.
Emblematike ishte historia e mistrit Tahiri që për të përgënjeshtruar “makinerinë vendase të baltës” mori në një aksion propogandistik të djegjes së kanabisit gazetarin e “The Economist”, Tim Judah, një nga njohësit më  të mirë të rajonit. Pavarësisht kësaj shfaqe ku e ftuan, si një profesionist race, Judah nuk u gënjye dhe shkroi në artikullin e tij: “Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po bëhet një prodhues i madh i kanabisit, që shpërndahet nga një rrjet kompleks i krimit të organizuar shqiptar”.

Nuk vonoi shumë dhe “Huffington Post” hodhi hipotezën se pas lejes makabre për të kultivuar drogë fshihet “një plan tjetër për të mbajtur pushtetin”. “Le Matin” e Zvicrës frankofone, vuri gishtin mbi bashkëpunimin e policisë me trafikantët ndërsaitaliania “La stampa”nënvizonte se “gomonet që përshkrojnë Adriatikun të ngarkuara me drogë janë shtuar ndjeshem”.
Në shtypin e përtej Adriatikut titulli: "Lumenj të e drogës" po rrjedhin nga Shqipëria në brigjet e Italisë” u bë i zakonshëm.

Duke parë se dielli nuk mbulohej më me shoshë Rilindja ndryshoi përsëri strategji. Lëvizja e re propogandistike nuk konsidtonte më në faktin se në vend nuk ka drogë. Parulla u ndryshua: “Hashash ka kudo por, ai ka qenë mbjellë që në kohë të Berishës”. Rama doli në sa e sa konferenca shtypi dhe intervista televizive për të shpjeguar se parcelat mbilleshin që në periudhën e qeverisë së shkuar, por atëherë fenomeni fshihej se komunikatat e policisë ishin “top secret”. Pra, sipas kryeministrit, sasia e hashashit në arkullim ishte po e njëjta, por atë e kishte bërë më të dukshëm transparenca që ushtronte rilindja në pushtet duke mos mbajtur të fshehta nga publiku.
Njësoj si pararadhëset edhe kjo alibi u rrëzua shpejt.

Prokurori Italian i Antimafias dhe Antiterrorizmit, Franco Roberti deklaroi se sasitë që tani mbërrinin në Itali nga Shqipëria ishin më të mëdha se më parë. Ndërsa prokurori i antimafias në Leçe Cataldo Motta, akuzoi drejtpërdrejtë autoritetet shqiptare duke nënvizuar se interesi i tyre për të bashkëpunuar për kapjen e trafikantëve ka rënë. Pra edhe njëherë alibia se problemi është trashiguar nga qeverisja e Berishës u rrëzua si një mashtrim i turpshëm.

Në këtë situatë kur justifikimet dhe gënjeshtrat iu rrëzuan njëra pas tjetrës Rama nuk fshihej dot më. Ai filloi të dorëzojë kokat e para. Fillimisht u nda publikisht me mikun e tij Koço Kokëdhima, që i kishte shkelur një sy kultivuesve të hashashit duke u dhënë shpresën se një ditë biznesi i tyre do të legalizohej. Më pas ai u detyrua të lëshojë edhe Sajmir Tahirin me të njëjtën mënyrë sikurse kishte bërë me Blendi Gonxhen në bashkinë e Tiranës, kur i doli era shitjes së lejeve të ndërtimit.

Në vazhdën e përrallës që do të tregojë se udhëheqësi nuk ka ditur gjë janë edhe aksionet e fundit kundër hashashit dhe përbetimet e Ramës për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj plage.
Natyrisht, në këtë pikë ku ka mbëritur puna është për të uruar: “Më mirë vonë se kurrë”. 

Prandaj Edi Rama duhet inkurajuar tani që ka marrë vetë kosën në dorë për të zhdukur hashashin.
Por, kjo mbështetje nuk mund të mos shoqërohet me pasqyrimin e alibive të paskrupullta që na përndoqën këto katër vjet. Koha tregoi se edhe “makineria e baltës së opozitës”, dhe “mediat e kazanit”, edhe “aleati i tepsisë”, në këtë rast paskëshin pasur të drejtë. 
Tani, Rama po flet njësoj si ata, për një tragjedi që i nxin faqen Shqipërisë. Le të shpresojmë se nuk po ndërton alibinë e radhës dhe se këtë herë e ka seriozisht…

(Lapsi.al)