“Njeriu është ai që nuk është dhe nuk është ai që është”  

                                                                Zhan Pol Sartir

Po t’i shohësh punët shtetërore me vëmendje dhe të ndalesh mbi disa hollësi mund të vësh re lehtësisht  se tiparet kryesore të sjelljes së qeverive dhe politikanëve, si të djathtë dhe të majtë, nuk ndyshojnë shumë me ndërrimet e qeverive dhe se, sidomos të njëjtët politikanë mësojnë pak ose aspak nga arritjet dhe dështimet e veta, qoftë edhe atëherë kur e kanë pësuar nga gabimet apo fajet e tyre nga vetë ata, sipas parimit për fajet e gabimet e t’ua fal shumë akuza të tjerëve…

Në jetë njeriu, ndaj qëndrimeve politike mund të jetë një fanatik ose besimtar i verbër, cinik, dyshues dhe kalkulues interesant, indiferent, militant, që do të thotë: shumë herë i paarsyeshëm, i një partie, ose racional, kur mendon e vepron mbi bazën e arsyes. Zgjedhja ime në politikë (meqenëse vij nga bota ushtarake), ka qënë dhe mbetet racionalizmi, që nënkupton, veç të tjerash, edhe kritikën racionale ndaj qëndrimeve fanatike, cinike, indiferente e militante të kujdo dhe cilitdo krah të politikës. Ky qëndrim racionalist i angazhuar shpjegon se pse, më 30 qershor, ashtu si qindra e mijëra shqiptarë të tjerë, unë zgjodha të votoj. Të votoj ose jo është një e drejtë dhe një zgjedhje personaale, e imja, e askujt tjetër.

Intelektualët, rinia shqiptare e sotme, së cilës i përket e ardhmja e këtij vendi, nuk mund të drejtohet më nga një klasë politike e së shkuarës dhe nuk ka nevojë për të. Sistemi politik nuk mund të përmirësohet me të njejtën klasë politike që e ka bërë këtë vend lëmsh në tridhjetë vite. Ka ardhur koha që zotërinjtë: Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha, komunisti Sali Berisha, dhe të gjithë liderët e partive të vogla (thuajse inekzistente), që u shkojnë nga pas dhe bashkë me ta e tërë ajo racë politikanësh që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje, të largoheshin më në fund nga skena politike. Vetëm në këtë mënyrë dhe vetëm atëherë politika shqiptare do të merrte frymë lirisht, qytetarëve të zhgënjyer të këtij vendi do të mund t’u ringjallej shpresa dhe Shqipëria më në fund, mund të bëhej, si e gjithë Evropa!…

Termi “intelektual” te ne është mjaft i shpërdoruar. Pasi tek ne intelektual konsiderohet thuajse çdo njeri që ka arsimin universitar, edhe nëse puna e tij nuk ka të bëjë aspak me ndonjë lloj veprimtaria intelektuale të mirëfilltë, që do të duhej të ishte veprimtari krijuese, në cilëndo sferë të kreativitetit intelektual: art, letërsi, ushtri, drejtësi, shkencë, etj. Te ne, intelektual quhet çdokush që, pasi merr një diplomë universitare, që në shumë raste mund të jenë diploma false, në cilëndo fushë, gjen një punë në një gazetari ose në një televizion privat, merr një mikrofon në dorë dhe fillon e merr intervista, apo raporton për median e tij nga terreni, cilësohet si “opinionist”, ose si “analist”, edhe nëse “opinionistë” dhe “analistë” të tillë nuk dinë të flasin shqip! Nuk kanë shkruar kurrë ndonjë libër, ose ndonjë artikull shkencor në jetën e tyre kanë mësuar të flasin herët, por të heshtin vonë.

Këta janë individë që kërkojnë lavdi dhe pushtet të pamerituar, militantë dhe me servilizmin e tyre të paarsyshëm kërkojnë të sundojnë mbi ligjin. Shumë herë habitesh se nga mbijnë këta njerëz të korruptuar kriminelë dhe kush e për ç’arsye i promovojnë pushtetarët e politikanët ata, duke i shitur për atë që nuk janë, për intelektualë. Shumë prej tyre, edhe nëse s’janë të papunë, nuk ushtrojnë asnjë lloj veprimtarie intelektuale, nuk studiojnë, nuk bëjnë kërkime shkencore, janë njerëz empirikë. E megjithatë, njerëzve u shiten si intelektualë.

Kori i zërave të tyre në studiot televizive dhe në disa gazeta mund të konsiderohet, në fakt, si një përpjekje për të manipuluar e imponuar mendimet e eprorëve të tyre. “Intelektualë” të tillë janë shëmbëlltyra më e keqe e intelektualit.

Intelekti është sistemi i aftësive njohëse e vepruese të individit që, sipas rasteve të inteligjencës gjen shprehjen e vet në lashtësinë dhe shpejtësinë e të mësuarit apo të përvetësimit të dijeve të reja, në zotësinë dhe shkathësinë për të zgjidhur me efektivitet detyra të ndryshme dhe për të kapërcyer vështirësitë që shoqërojnë situatat jo të zakonshme. Niveli i intelektit duket sidomos në procesin dhe rezultatet e krijimtarisë, që gjenerojnë ide dhe përpunojnë teori të reja, që bëjnë kritika të thelluara në emër të së ardhmes, pra kryesisht më të spikaturit nga radhët e shkrimtarëve, filozofëve, artistëve, gazetarëve, poetëve, ushtarakëve, shkencëtarëve, teoricienëve socialë, etj.

Deviza e intelektualit është e vërteta.

Njeriu intelektual nuk është as vetëm i bardhë, as vetëm i zi, as vetëm engjëll, as vetëm djall. Njeriu është një qënie shumëngjyrëshe dhe e ndërlikuar. Profesor Hamit Beqja thotë: “Edhe engjëlli edhe djalli janë brenda tek i gjalli”.

Intelektuali, si një ndër tiparet që e dallon atë nga njerëzit e tjerë, është guximi për të thënë të vërtetën dhe jo militant përkrahës dhe veprimtar i zellshëm, shumë herë i paarsyeshëm, i një personi apo partie. Shiko nivelin e kulturës të parlamentarëve, pushtetarëve. Zbehja graduale e prestigjit të parlamentit nga sjellja dhe niveli kulturor i ulët i debateve, mungesa e edukatës minimale, gazetarë që vërehen në shterpësinë e ideve. Koha këtë shtresë politikanësh i ka nxjerrë jashtë kohe. Drejtimin e kombit duhet ta marrë në dorë një brez i ri me prirje perëndimore, opozitën ta trajtojë jo si armik por si kundërshtar politik.

Shumë sociologë të njohur kanë argumnetuar, gjithashtu se aftësia e intelektualëve për të mos u pajtuar me të pavërtetën, gënjeshtrën, shkelësin e ligjeve, shteti që nuk është në shërbim të qytetarit, por qytetari në shërbim të shtetit. Është aftësia e tij, për të krijuar, për të rinovuar e për të tërhequr vëmendjen ndaj fakteve dhe kështu bën të mundur që ata (intelektualët), të ngrihen përtej kufizimeve të tyre klasore dhe përtej influencave të grupit ose komunitetit të cilit i parkasin. Ata duhet të jenë njerëz që nuk ndihen kurrë të kënaqur me gjërat në gjendjen që janë… Ata vënë në pikëpyetje të vërtetën e momentit në emër të një të vërtete më të lartë. Intelektualët, konsiderohen një klasë emancipuese, unë flas për intelektualët e vërtetë, jo për njerëz si këta që kemi ne që i quajmë intelektualë. Ata, që në pjesën më të madhe janë disa gazetarë opinionistë, pedagogë anonimë universitetesh, ose shkollash të mesme, prokurorë, gjyqtarë, parlamentarë, pushtetarë, oficera madhorë ushtrie, policie që nuk kanë komanduar kurrë repartet, ka më shumë kolonelë e gjeneralë se sa janë policë e ushtarë. Njerëz pa reputacion, pa asnjë libër ose artikull të botuar në revista të mirëfillta akademike, disa gazetarë që nuk zbulojnë kurrë një të vërtetë, nuk sjellin kurrë ndonjë ide origjinale dhe nuk thonë kurrë ndonjë gjë të re përtej asaj që përsëritet në mënyrë shabllone kudo në mediat tona. Më e bukura është se, sa më pak ide origjinale kanë dhe sa më pak të ditur janë “intelektualë” të tillë, aq më shumë fryhen e krekosen ata në studiot televizive (si kallinjtë bosh).

“Njeriu është ai që nuk është dhe nuk është ai që është”, thotë Sartri. Një shtet i vërtetë ligjor duhet të respektojë ligjet e veta. Çdo qytetar duhet të njohë e zbatojë ligjet dhe ligji të mbrojë qytetarin. Tek ne flitej sikur kishim drejtësi por nuk jepej drejtësi, drejtësia ishte për të fortin por jo për atë që i takonte. Për këtë drejtësi të korruptuar mban përgjegjësi klasa politike si e djathta dhe e majta, i korruptuari nuk mund të luftojë korrupsionin?

Detyra e intelektualëve të vërtetë do të duhej të ishte dhe të jetë informimi i saktë dhe objektiv i publikut për këto probleme si lidhjet e politikës me krimin, korrupsionin, kontrabandën, për zgjedhje të pazakonta, jo thirrje për t’i sabotuar atë. T’u thuash qytetarëve se ç’duhet të bëjnë dhe si duhet të sillen politikisht, të marrin pjesë ose jo në zgjedhje, me fjalë të tjera, t’u thuash qytetarëve që mendojnë si ty që të bëjnë siç bën ti, ky nuk është një virtyt intelektual. Intelektualët e vërtetë nuk janë predikues dhe aq më pak imponues.

Vetëm brenda katër muajve opozita shqiptare pasi dorëzuan mandatet e deputetit, me sloganin “Rama ik”, ka zhvilluar dhjetë greva dhe çfarë arriti? Asgjë! Vetëm dëmton e shkatërron kryeqytetin, te krahët e politikës si e majta dhe e djathta kanë sjellë votën e popullit, një qeveri legjitime rrëzohet me votbesim në parlament e jo në thashetheme kafenesh. Kjo tregon se kjo klasë politikanësh të korruptuar e kriminalizuar, tregon paaftësi, papjekuri dhe pamundësinë e tyre për të bërë shtetin e së drejtës, atëhere pse t’i lëmë?!…

Përplasja e vazhdushme ndërmjet krerëve politikë, që duan të zënë të gjithë vendin e parë. Përse këta politikanë, pushtetarë, vazhdimisht në luftë me njeri-tjetrin, mbjellin ndjenjën e urrejtjes, kundër njeri-tjetrit, duke përçarë popullin fukara e duke i ndarë në krahina e parti sipas të “fortit” kriminel, që i prin çdo grupimi njerëzish që ka me vete dhe populli duhet të jetë gjithnjë në luftë civile, duke vrarë e duke grabitur shoshoqin si të munden e kur të munden. Çfarë politike është kjo? Përse një grup politikanësh “gjoja të djathtë” e kanë kaq të vështirë të hedhin sytë në perëndim dhe të studiojnë e zbatojnë detyrat që shtrojnë perëndimorët me SHBA-në në krye, për shtetbërjen europiane, por orientohen nga sllavizmi lindor? A mund të pranohen këto e këta levantinë hajdutë që i pinë gjakun këtij populli?! Kush e paguan realisht çmimin për këtë polarizim të shoqërisë? A e kupton populli çfarë i bën vetvetes?!…

E keqja rregullohet me të mirën e jo me të keqen.Për një popull si ky yni, se është hall i madh kur qeverisja e tij fillon degradimin, por halli bëhet shumë më i madh kur ata që pretendojnë ta shpëtojnë nga kjo qeverisje edhe më të padrejtë, pa ide, pa ideale, pa vlera dhe pa moral, të provuar disa here dhe të diskriminuar, inkriminuar po aq herë, disa drejtues në kryesinë e PD-së, vijojnë të vuajnë nga sëmundja e pashërueshme e Salmonelës….!

Shqiptarët u përmbahen normave të larta morale, ata janë përparimdashës, bujarë, mikpritës, të sjellshëm, të besës, të sjellshëm me njeri-tjetrin dhe njerëz me vullnet. Pukëvili shkruante ndër të tjera: “Shqiptarët (arvanitët) janë banoret e tanishëm të një qyteti jo më pak të dëgjuar se Sparta, – ata formojnë një popullsi prej dhjetëmijë frymësh që nga viti në vit shtohen e përparojnë. Dallohen për pastërtinë e tyre, guximin dhe zejet e tyre… Sipas punëve ata shkojnë në Patër, në Elidë e deri në ujdhesat e Jonit, por gjithmonë jetojnë pranë e pranë dhe i gjenden në nevojë njeri-tjetrit”.

Në asnjë vend të botës, thotë Abdyl Frashëri, nuk ka njerëz të besimeve të ndryshme që të jetojnë në një miqësi dhe në një harmoni të tillë me atë që jetojnë shqiptarët myslimanë e të krishterë, dhe as në kohët e barbarisë më të thellë, kurrë nuk janë shënuar në grindje, luftra ose masakra të shkaktuara nga dallimet fetare. Drejtuesit e partive politike s’kanë pse t’i vënë armiqësi me njeri-tjetrin, për interesat e tyre….

Në një kohë kur turmat e osmanëve mbulonin vendet e krishtere të siujdhesës ballkanike dhe e dikurshmja perandori bizante aq e fuqishmë bie në duart e tyre, ata të cilët iu kundërvunë me rreptësinë më të madhe asaj, të bashkuar nën udhëheqien e Kastriotëve qenë arbërit. Ata u bënë mburojë e qytetërimit europian. Ky vend meriton të ketë në drejtim njerëz të ndershëm e jo hajdutët e pangopur që ka sot.

Në jetën time, unë nuk i fsheh bindjen apo qëllimet e mia, por i shpall ato hapur. Kritizerëve të mi u them: Mos kërkoni drejtësinë ideale të shtetit ose të bashkisë, komunës. Në asnjë vend dhe në asnjë kohë, sepse nuk do e gjeni, për arsyen e thjeshtë se ajo e tillë nuk Ekziston. Idealja  nuk është një kategori e jetës reale, por një standard, të cilit mund t’i qasemi me punë dhe me kohë, nëse përpiqemi. Unë kam çmuar e çmoj ata drejtues që dinë, përpiqen, punojnë dhe bëjnë më shumë për të mirën publike.

Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe ka duruar shumë padrejtësi, që i janë bërë këtij populli. Meta, Basha, Rama dhe të gjithë liderët e partive të vogla (thuajse inekzistente), që u shkojnë pas (Mediut, Shehit, Dukat, Ndokut, Idrizit, Dule, Alimadhët, Koçët, etj), dhe bashkë me ta e tërë ajo racë politikanësh që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje fukarallëku, të largoheshin më në fund nga skena politike. Ka pushtetarë, funksionarë publike që vijnë nga një e kaluar me probleme përsa i përketë ligjit, thyrjes së rregullave. Pse politika i afron pas vetes me të shkuar problematike?! Nëse në një vend në trazicion si ky yni, themelet e demokracisë u hodhën jo të shëndosha nga komunistat, të kthyer në demokratë, vende – vende gabim, psh, mënyra se si u krijua pluralizmi partiak për shkak se kapitalizmi u kuptua si grabitje e pronës publike dhe asaj private, si përvetësim i pasurive kombëtare, meqë shkollimi dhe kualifikimi u katandis në shumë raste dhe hapësira arsimore ku u shfaq blerja e notës dhe e diplomës, në një shoqëri që drejtësia juridike u kthye në shitblerje vendimesh, ryfsheti dhe korrupsioni, që kapi gjithë sistemin, fakti që ndodh edhe mjekun do ta paguash nën dorë që të shërbejë, e vërtetë e hidhur  që shoqëria civile nuk mbërriti në të gjitha rastet të bënte oponentin civil, e kur edhe media, shtypi dhe artistët, jo rrallë bëjnë rolin që nuk duhej të bënin, pra u shndërruan në operatorë të tregut dhe në gurë shau të partitizmit politik, atëherë cila është klima e përgjithshme ? Një realitet i deformuar, njerëz pa vlera, të pasuruar në mënyrë të paligjshme, që blejnë gjithçka, vendimarrjen në gjykatë, gjuhën, dhe helmin në media, opinionin dhe zgjedhësin, postin e karrierën i qasen drejtimit politik të vendit. Ja kështu u gatua kjo gjendje, nga klasa politike e ‘’djathtë /e majtë’’ që sot na dhemb. Dallojmë kapjen e politikës jo në pak raste nga njerëz me të kaluar të errët, me rekorde deri kriminelë. Politika, jo se ju vlen si pol i kundërt në magnetizimin mes tyre, por se ata e bëjnë edhe politikën. Kështu mbërrijmë në një amulli depresive. Njeriu i zakonshëm nuk di ku të mbështetet. Nuk di si të orientohet dhe ku të besojë. Kjo gjendje imoraliteti e ka drobitur ndërgjegjen qytetare dhe ka sfilitur shpirtin human të njeriut, i cili do të jetë qytetar i rregullt dhe shtetas me parimet e shtetit ligjor, por nuk mundet. Koha, këta levantinë, të rinj e të vjetër i ka nxjerrë jashtë kohe, të ikin e të shpëtojë Shqipëria.

Duke filluar nga Viçidoldemokraci të Berishës, Nanodemokrci, dhe E. Ramademokraci, e Çepanidemokraci të Metës. Të katër këta levantinë, shpallin demokracinë dhe lirinë, shtetin e së drejtës dhe çfarë kanë bërë dhe çfarë bëjnë?! Asgjë më shumë dhe më pak se sa një vazhdim në tjetër kushtetutë dhe të tjera ligje të një diktarure korrupsioni dhe krimi politik! Kush bind më shumë reforma agrare e kolektivizim absurd i E. Hoxhës, që ja u mori pronën të gjithëve dhe ja dha shtetit apo “prona e ligjit 7501 e demokracisë” që prona, pasuria kombëtare nuk shkoi tek i zoti, por tek i forti?! Prona ju dha grabitësit dhe pastaj grabitësi ia shiti gjithfarë bedeli që ulej nga malet! U bënë pronarë si në qytet dhe nga kanë ardhur.

Këta hajdutë u bënë me dy prona militantët e partive. Sot koha e hajdutëve me damkë, milionerëve pa arsim të bërë nga gjaku dhe mundi i shqiptarëve, është një plehrë e vërtetë shoqërore, një padrejtësi në mes të lirisë dhe demokracisë! Politikanët kanë për detyrë të përmirësojnë të sotmen dhe të planifikojnë të nesërmen e popullit të tyre, jo të udhëzojnë se si duhet interpretuar e djeshmja !

E pikërisht kjo e rëndon më shumë se sa koha e “diktaturës së proletariatit”! E rëndon dhe sigurisht që shqiptarët kësaj kohe të tillë me të tillë klasë politike nuk i beson! As i beson dhe as që e do! Sepse është kriminale për nga shpërdorimi i lirisë dhe dhunimi që i bën demokracisë! Është koha e diktaturës së krimit dhe korrupsionit! Absolutisht për këtë tashmë po binden të gjithë!

Vetëm duke ikur kjo klasë politikanësh, atëhere politika shqiptare do të merrte frymë lirisht, qytetarëve të zhgënjyer të këtij vendi do të mund t’u ringjallej shpresa dhe Shqipëria, më në fund, mund të bëhej si e gjithë Evropa e siç e do Amerika, e cila ka qënë dhe është shpëtimtarja e kombit tonë.

***

Doktori i Shkencave, Novruz Zejnati

Kolonel R.