Të luftosh për të vërtetën në këto kohëra, po bëhet gjithmonë e më e vështirë, sidomos në epokën e internetit. Por socialistët e kanë ushqyer një kulturë, që po u kthehet në bumerang

Nga Enton Palushi

Në janar të vitit 2000, në SHBA nisën të shpërndahen disa email-e zinxhir, ku ‘raportohej’ se bananet e importuara po infektojnë njerëzit me ‘necrotizing fasciitis’, një sëmundje e rrallë ku lëkura shpërthen dhe më pas shpërbëhet. Sipas email-eve, qeveria po mundohej të mbante të fshehtë historinë e ‘bananeve mishngrënëse’ për të shmangur panikun. Përballë këtij kërcënimi, lexuesit inkurajoheshin të shpërndanin fjalën te miqtë dhe familja. Kërcënimi ishte krejt i pakuptimtë, por më 28 janar, shqetësimi ishte kaq i madh, sa Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (QAKPS) doli me një deklaratë për të shuar këto thashetheme. A ndihmoi diçka e tillë? Aspak, vetëm sa hodhi benzinë në zjarr. Brenda pak javësh, QAKPS u përmbyt nga telefonuesit e shqetësuar, aq sa vendosi të ngrejë një linjë telefonike të posaçme për këtë gjë. Aq shumë u stërhollua kjo histori, sa njerëzit nisën të citojnë vetë QAKPS si burim të thashethemeve.

Për gazetarin e njohur të BBC, David Robson, që shkruan vazhdimisht në rubrikën simpatike “Future”, ky është një tregues i faktit se njerëzit janë pabesueshmërisht ‘syleshër’. Një arsye se përse ndodh kjo, ka lidhje me atë që njihet si ‘koprracia konjitive’. Termi është përdorur për herë të parë nga Susan Fiske dhe Shelley Taylor në vitin 1984 dhe ka patur vazhdimisht ndikim jo vetëm në shkencat sociale, por edhe në ato ekonomike dhe politike. Shpjegimi është i thjeshtë: Koprracia konjitive është tendenca e njerëzve për të menduar dhe zgjidhur problemet në rrugën më të lehtë.

Robson thotë se nuk është vetëm çështje inteligjence, pasi edhe disa fitues të çmimit Nobel kanë rënë pre e saj. Sidomos nëse besoni se shteti dhe autoritetet po veprojnë në fshehtësi dhe kundër jush, atëherë gjasat janë që të besoni më shumë te këto teori.

Në këto ditë tensioni të lartë politik, kur emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri është në qendër të shumë diskutimeve, ka shumë gjasa që ai të ketë rënë vetë pre e ‘koprracisë konjitive’. Madje çdo lëvizje e tij ka kaq shumë interpretime që bien në këtë kurth. Dhe ta mendosh se ky nuk është një problem i ri, por diçka e gatuar edhe nga vetë Tahiri.

***

Ka një arsye që po bëhet gjithmonë e më e fortë se përse qeverive u intereson që të kenë media sa më profesionale dhe institucione sa më të forta të drejtësisë. Ajo po bëhet gjithmonë e më e dukshme kohët e fundit. Qëllimi është që ‘djajtë’ të mbahen brenda shisheve. Sidomos me mbërritjen e internetit, këta ‘djaj’ kanë dalë prej shisheve në botën perëndimore, e jo më në Shqipërinë e drobitur. Sepse ironia është se studimet e fundit tregojnë se njerëzit kanë një tendencë thuajse normale që të shkojnë drejt ‘koprracisë konjitive’. Madje edhe njerëz racionalë, që e dinë se burimi prej nga e marrin informacionin është i pabesueshëm, shkojnë aty. Gati-gati si një joshje magjike. Sepse rrjedhshmëria konjitive na bën që të kemi nevojë për të tilla lajme. Prandaj nuk është çudi që të shohësh njerëz, që edhe pse e pranojnë se janë racionalë, të shfletojnë apo lexojnë mes të tillave histori. Jo më kot një analist britanik pyeste së fundmi: “Kush dreqin janë këta miliona lexues që ‘zhyten’ përditë në media me 0.3 për qind besueshmëri”.

***

Kur mazhoranca vendosi që të mos lejojë arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, pati nga ata që thanë se ky ishte një vendim i kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur veten dhe të tjerë eksponentë të partisë së tij nga ‘hapja e thesit’. Edhe kjo tezë duket joshëse, ajo i përmbush të gjitha elementet për të qenë rrezatuese tek opinioni publik. Por me shumë gjasë, socialistët po hidheshin në një sulm tjetër. Goditjen e fortë e kishin marrë, por duheshin rikuperuar pikët e humbura në opinionin publik. Dhe për ta bërë këtë, duhet ta luftosh me mjetet me të cilat ke luftuar më parë, duke mos besuar tek institucionet. Tek e fundit, një shans e ke në dorë, njerëzit besojnë se drejtësia e re nuk ka nisur punë dhe ajo e vjetra është e kalbur. Edhe pse socialistët e dinë se me këtë veprim po i shkaktojnë një njollë shumë të madhe drejtësisë së re që po vjen, ata nuk hezitojnë. Vetë Tahiri ‘lëshon kushtrimin’.

***

Ata njerëz që dolën në përkrahje të Saimir Tahirit përpara shtëpisë së tij apo më vonë përpara zyrave të Kuvendit, nuk janë aty për të treguar se janë të prekur se një njeri i tyre po dënohet pa prova. Nuk duken aq ekspertë sa për të arritur të ndajnë gjërat në një rrafsh profesional. Ata janë aty të thirrur nga një ndjesi primitive e njerëzimit, ajo e mbrojtjes së një personi të rrezikuar të grupit tënd. Për ta bërë më të ndezur imagjinatën e tyre, në media nisin e lundrojnë historitë e ‘tre prokurorëve tropojanë’. Këtu pastaj gjërat futen në një fushë të rrezikshme, por a nuk kanë flirtuar edhe më parë politikanët me të tilla supozime? Vetë Tahiri e çon mesazhin se njeriu që e ka denoncuar i pari, “tropojani Zagani është shpërblyer me toka në bregdetin” e jugut. Historia e veriorëve që kanë pushtuar tokat e bregdetit jugor, vjen e bëhet akoma më e gjallë. Sepse kur je pjesë e një grupi, koprracia konjitive është kaq aktive. Njerëzit janë shumë të mirë për të krijuar grupe. Studimet e fundit tregojnë se edhe gjëra të thjeshta si fjala bie preferenca për një grup muzikor, bëjnë që njerëzit ta shohin tjetrin si më të afërt, duke prodhuar më së paku mikroagresione. Të mos flasim pastaj për luftërat botërore e konfliktet mizore që janë zhvilluar e zhvillohen në emër të grupit.

Siç theksonte antropologu i njohur Claude Lévi-Strauss: “njerëzimi ndalon së ekzistuari në kufirin e fisit, të grupit linguistik, ndonjëherë edhe të fshatit”.

***

Kur Saimir Tahiri iu flet nga selia e Kuvendit përkrahësve, duke u thënë se djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka vrarë njerëz në Gërdec, në të vërtetë po e përdor “koprracinë konjitive” siç ka bërë më parë. Ai e di se histori të tilla janë një lëmsh i madh me spekulime, gjysmë të vërteta, hetime, dyshime, akuza politike, pikëpyetje, trillime. E çfarë nuk gjen në atë lëmsh, por e vërteta është se ai lëmsh ka efektin e topit të borës kur vërtitet kaq lirshëm siç ndodh në politikën shqiptare. Fjala bie, përse njerëzit tani duhet të besojnë historinë e vrasjeve të Shkëlzenit dhe të mos besojnë historinë e ministrit të Brendshëm që fiton 5 milionë euro në muaj dhe ble zgjedhjet? Përse duheshin besuar atëherë historitë me tradhti, vrasje e miliarda euro dhe nuk duhen besuar tani? Apo ngaqë një politikan i opozitës së atëhershme dhe qeverisë së tanishme thotë se ‘do vjedhin më me stil’?

Disa thonë se socialistët kanë patur të drejtë. Ndoshta, askush nuk mund ta thotë me saktësi. Por po vijnë gjithmonë e më shumë ditë të vështira për të gjetur të vërtetën. Bota perëndimore po përpiqet që t’i vërë kapak shishes prej nga po dalin çdo ditë djajtë. Në Shqipëri ata kanë qenë vërdallë prej kohësh, duke rrezikuar së pari atë që është në pushtet. Sepse siç thotë një fjalë e urtë “Kur e pështyn lart, të bie në gjoks”. Apo siç shprehej me ironi përpara disa kohësh një nga ambasadorët e dashur të shqiptarëve se “What goes around, comes around”. /Mapo/