Tërmeti që nuk u ndie online!

26/09/2019 - 22:55

Nga Lutfi Dervishi

Një njoftim rutinë i ambasadës së SHBA-së në Tiranë që synon të informojë publikun për të shmangur keqkuptimet është nga ilustrimet më të mira se si është tjetërsuar gazetaria on line në kërkim të ca klikimeve dëshpëruese.
Lajmi paraqitet me mbititullin: zbulojeni vetë! Titulli është: Tërmeti, ambasada amerikane bën njoftimin e rëndësishëm!
Kur sheh këtë titull instiktivisht veprimi i parë që do të bësh është të lexosh më tej për çfarë bëhet fjalë. Deri dje ishte fakt që nuk mund të parashikohej tërmeti. Deri dje parashkimi tërmetit ishte ‘fake news”. Por ditë e re, nafakë e re. Shkenca ecën përpara. Përcaktimi marksist se nevoja e njeriut e çon shkencën 100 vite pëpara të krijon përshtypjen se ndoshta mund të jetë bërë zbulimi i paimagjinueshëm: parashikimi tërmetit.
Njerëzit që nga lashtësia e deri në ditët e sotme janë përpjekur ta marrin me të mira tërmetin, i kanë kushtuar këngë, poezi, parrulla, filma, - madje tërmet është bërë “metaforë” për rezultate të papritura në zgjedhje siç ishte rasti i zgjedhjeve të parakohshme lokale në Dibër më 2016. “Tërmet” ishte fjala më e përdorur që përmblidhte suksesin e procesit zgjedhor.
Por tërmeti i së shtunës që shkundi njerëzit dhe godinat, nuk arriti të shkundë gazetarët on line.
Mbi 600 portale me lajme në betejën dëshpëruese për vëmendje nuk e kanë mendjen te efekti që mund të krijojë informacioni i tjetërsuar on line.
Për ca klikime më shumë, me shpresë se do të impresionojnë ata që bëjnë reklama, “lajmet on line” gjithnjë e me shumë nuk kanë lidhje me çfarë ndodh off line.
Njoftimi i ambasadës ishte vetëm dy fjali
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të zhvillojë një ushtrim stërvitor për reagimin në rast tërmeti. Ai është pjesë e ushtrimeve stërvitore që zhvillojmë përgjatë vitit.”
Lajmi në portale ishte alarm për kujdes!
Titujt alarmues, e çudibërës janë bëre pjesë e rëndësishme e ushqimit qe u shërbehet përdoruesve on line non stop.
Gjithnjë e më shpesh lexon tituj:
“Nuk do ta besoni “... “ja çfarë beri rrufeja”.. bari magjik që shëron 40 sëmundje “, “ndahet moderatorja e njohur” dhe sigurisht nuk mbeten prapa as parashikimet e tërmetit, kometave dhe fundit të botës!
Toka dhe dielli nga pikepamja e moshës gjeologjike janë të rinj dhe nuk ka sens të flasësh për fundin e botës, por me këtë ritëm alarmi, magjie dhe çudie ka të ngjarë që fundi i kësaj gazetarie on line të mos jetë shumë larg!
Pas një tërmeti si ai i ditës së shtunë shumëkush reflekton për gjërat që kanë më shumë vlerë në këtë jetë, për njerëzit e familjes për miqtë dhe për armiqtë. Reflektimi bëhet për të kuptuar çfarë është në të vërtetë e rëndësishme. Për gazetarët/redaktorët on-line me sa duket edhe pas tërmetit gjëja më e rëndësishme mbeten klikimet!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: