Në ditën e nëntë të protestës, qytetarë të shumtë u mblodhën para Kryeministrisë në Tiranë, si edhe në disa qytete të tjera të vendit, duke përcjellë mesazhet e tyre përmes pankartave dhe thirrjeve publike.

Gjatë nisjes së fjalimeve u regjistruan momente tensioni mes disa protestuesve dhe përfaqësuesve të partive politike të pranishëm në tubim.

Një prej pjesëmarrësve, duke folur përmes megafonit, akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, se po ndërhynte në protestë dhe i kërkoi të largohej.

“Redi Muçi po prish protestën”, dëgjohet të thotë protestuesi.

Ndërkohë, një grup qytetarësh nisi thirrje si: “Opozitë e shtirur”, “Shporrni partitë” dhe “Opozita jemi ne”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj pranisë së forcave politike në protestë.